Anemia njihet si sëmundja më e shpeshtë hematologjike. Por çfarë është konkretisht kjo patologji dhe si mund të trajtohet?
Në një intervistë mjeku hematolog, dr. shk. Sotiraq Lako tregon se cilat janë simptomat kryesore që duhet të na shqetësojnë si dhe shkaktarët kryesorë të anemisë. Ai ndër të tjera thekson se ka gjithmonë konfuzion mbi aneminë pasi disa mjekë e vlerësojnë duke u nisur nga vlera e eritrociteve, disa nga hematokriti, shumë pak nga vlera e hemoglobinës, që është kriteri bazë i vlerësimit. Më tej Lako nënvizon se nuk ka asnjë anemi që korrigjohet me ushqime.
Çfarë duhet të nënkuptojmë me termin anemi?
Termi “anemi” i përdorur në praktikën klinike, i referohet uljes poshtë vlerave normale, fiziologjike, të pranuara të Hemoglobinës (sipas moshës dhe gjinisë), me ose pa ulje të numrit të Eritrociteve (Anemitë Hipokrome Mikrocitare). Sipas OBSH quhet Anemia tek adultët, meshkuj vlera e hemoglobinës < 13 gr/dl dhe tek femrat < 12 gr/dl. Rëndësia e anemisë klasifikohet në këto kategori në praktikën tonë mjekësore; lehtë: 9-12.9 gr/dl (M) dhe 9-11.9 gr/dl (F); mesme: 7- 8.9 gr/dl; rëndë: < 7 gr/ dl.
Si bëhet klasifikimi morfologjik i anemisë?
Ka një vlerë të rëndësishme klinike. Anemia Hipokrome Mikrocitare: hemoglobina e ulët dhe MCV < 80 fl; Anemia Normokrome Normocitare: hemoglobina e ulët dhe MCV 80 – 100 fl; Anemia Makro/ Megalocitare: hemoglobina e ulët dhe MCV > 100/110 fl.
Cilat janë simptomat kryesore të kësaj patologjie?
Simptomat janë: dobësi, lodhje e përgjithshme, më të theksuar në sforcimet fizike (konsumohet më shumë oksigjen), vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke (në pjesën e pasme të saj), miza para syve, zhurmë në vesh. Tek moshat e vjetra dhe kur instalohet shpejt mund të shfaqen dhe simptomat e angina pectoris (dhimbje gjoksi) etj. Shenjat ndahen në shenja të përgjithshme dhe specifike. Shenjat e përgjithshme përfshijnë zbehjen e lëkurës dhe të mukozave (të cilat shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl). Vlerësimi duhet bërë në dritë natyrale. Anemia duket më mirë në membranat mukoze (buzët, goja, faringu, konjuktivat), llapa e veshit, shtrati i thonjve, shuplakat e duarve dhe në shputat e këmbëve (kur Hb < 7 gr/dl).
Duhet të kemi parasysh se është pigmenti i hekurit (Fe) që siguron ngjyrën e kuqe të hemoglobinës, në këtë mënyrë të eritrociteve dhe për pasojë të vetë gjakut (pjesa e mbetur e gjakut pa eritrocite nuk ka ngjyrë të kuqe). Ngjyra e hemoglobinës (pra e hekurit) është dhe faktori kryesor i ngjyrës së lëkurës. Në rastet kur anemia instalohet shpejt dhe është e thellë mund të kemi takikardi, puls të shpejtë dhe goditës, tone të forta në zemër, zhurmë sistolike, kardiomegali. Shënjat specifike janë në vartësi të tipit të anemisë p.sh në rastin e anemisë hemolitike do të ketë ikter nga shtimi i bilirubinës indirekte. Në sëmundje të tjera anemia mund të shoqërohet me neutropeni, trombocitopeni etj.
Si përcaktohet prania ose mungesa e klinikës së anemisë?
Prania ose mungesa e klinikës së anemisë përcaktohen nga: Shpejtësia e instalimit të anemisë. Një anemi e instaluar shpejt ka më shumë ankesa dhe simptoma se sa kur instalohet gradualisht (në rastin e fundit sistemi kardiovaskular ka më shumë kohë për t’u përshtatur). Shkalla e anemisë pra sa më e thellë të jetë anemia aq më të theksuara janë shenjat. Shenjat e anemisë shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl. Por ka raste që ulja e Hb është e theksuar dhe përsëri të mos ketë shenja ose të jenë shumë të pakta, nëse anemia është instaluar gradualisht dhe pacienti ka qenë pa sëmundje bashkëshoqëruese kardiovaskulare dhe në moshë të re.
Mosha dhe gjendja e përgjithshme e pacientit, është e rëndësishme,ku moshat e vjetra e suportojnë aneminë më vështirë se sa mosha e re. Tradicionalisht vlera klinike e anemisë është nënvlerësuar (ka lodhje, këputje por jo dhimbje). Anemia keqmësohet, keqvlerësohet, keqmjekohet, sidomos anemia deficitare që instalohet gradualisht dhe përgjithësisht suportohet mirë, sidomos tek moshat e reja. Anemia duhet zbuluar, vlerësuar dhe trajtuar siç duhet.
Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundjeje?
Anemia mund të jetë e lindur ose e fituar. Ajo mund të shkaktohet nga: humbja e shpejtë e gjakut (hemoragjia akute); nga shkatërrimi i shtuar i rruazave të kuqe (hemoliza); pakësimi i prodhimit të rruazave të kuqe për shkak të mungesës së lëndëve të para të prodhimit të rruazave të kuqe (Anemia Deficitare); për shkak të defekteve të prodhimit të rruazave të kuqe (mielodisplazia); pakësimit të prodhimit të rruazave të kuqe (Anemia Aplastike), apo pakësimit të hormonit eritropoietinë (Anemia nga Sëmundjet Renale) për shkak të infiltrimit të palcës së kuqe të kockave nga sëmundje tumorale hematologjike dhe jo hematologjike, ose sëmundje jo tumorale, hollimi i gjakut (hemodiluimi, shtimi i volumit plazmatik). Anemitë më të shpeshta në praktikën janë Anemitë Deficitare – Anemia nga Mungesa e Hekurit dhe Vitaminave (Vitamina B12 dhe Acidit Folik). Këto janë Anemi plotësisht të korrigjueshme dhe nëse eliminohet shkaku/shkaqet e deficitit dhe të shërueshme. Deficiti i mikroelementeve dhe vitaminave që janë (lëndë e parë për prodhimin e përbërësve të qelizave hematopoietike) identifikohen me anemia. Anemia është një nga pasojat e deficitit të këtyre përbërësve, ato instalohen para anemisë. Këto janë dhe anemitë më të keqvlerësuar dhe keqtrajtu
Çfarë përdoret për trajtimin e anemisë?
Duhet të theksojmë se për trajtimin e anemive, në tërësi, në të gjithë botën, përdoren vetëm: Preparatet e hekurit (që veprojnë vetëm në Aneminë nga Mungesa e Hekurit; Preparatet Vitaminike (Vitamina B12, Acidi Folik, Vitamina B6), që veprojnë vetëm në anemitë nga Mungesa përkatëse vitaminike; Eritropoetina– që përdoret në anemitë nga sëmundjet renale, anemia inflamatore, mielodisplazia, anemia aplastike; Kortikosteroidët (Prednizoloni), për Anemia Hemolitike; Hemotransfuzioni. Ky i fundit është mënyra më e shpejtë për të rritur hemoglobinën (futet e gatshme, ndërsa në rastet e mësipërme duhet të presësh të prodhohen eritrocitet/hemoglobina e re, kur palca e kuqe e kockave ka aftësi regjenerative, ripërtëritëse).
Cilat janë problemet më të shpeshta që hasim në vlerësimin dhe trajtimin e anemisë në vendin tonë?
Ka gjithmonë konfuzion se kë do të quajmë anemi. Disa mjekë e vlerësojnë duke u nisur nga vlera e eritrociteve, disa nga hematokriti, shume pak nga vlera e hemoglobinës, që siç e shpjeguam më sipër është kriteri bazë i vlerësimit. Popullata të ndryshme kanë diapazon të ndryshëm të vlerave normale të serisë së kuqe dhe përderisa në vëndin tonë nuk i kemi këto vlera, të pranojmë vlerat e referuara nga OBSH, se të mbështetemi në kritere të ndryshme (sipas laboratoreve, aparateve, traktateve hematologjike).
Anemia më e shpeshtë në praktikë është “Anemia Deficitare”. Këtu futen Anemia nga Deficiti i Hekurit (Anemia Ferriprive), Anemia nga Deficiti i Vitaminave (Vitamina B12 dhe Acidit Folik = Anemia Megaloblastike). Këto janë dhe anemitë më të keqvlerësuara dhe të keqtrajtuara. Anemitë deficitare janë pasoja të deficiteve përkatëse (në disa raste mund të jenë dhe të kombinuara). Deficiti i hekurit (më i shpeshti në praktikë, sidomos për gjininë femërore) mund të vlerësohet me anë të Ferritinemisë dhe është më e përhapur (baza e ajsbergut) se anemia nga defiçiti i hekurit (maja e ajsbergut) që është pasoja e tij. Për anemitë nga defiçiti i vitaminave nuk kemi një markues si Ferritinemia, por parimi i tyre është i njëjtë si për Aneminë Ferriprive. Zbrazen depot përkatëse (ose të kombinuara) dhe për pasojë shfaqet Anemia Megaloblastike.
Ku ndodh gabimi në përcaktimin e shkakut të anemisë?
Mjeku nuk ka nevojë të gjejë shkakun e anemisë (është deficiti), por të shkakut të deficitit. Dhe këtu është gabimi më i madh praktik. Personeli mjekësor dhe vetë populli mendon se është kequshqyerja. Një organizëm i shëndoshë ka 5 vjet rezerva të hekurit, 2-4 vjet të vitaminës B12 dhe 2 muaj për Acidin Folik. Kjo do të thotë se nëse konsumohen normalisht për nevojat përkatëse, duhet të mos marrim për 5 vjet hekur, 2-4 vjet vitaminë B12 dhe 2 muaj Acid Folik që të zbrazen depot dhe për pasojë të shfaqet dhe anemia përkatëse. Hekuri dhe acidi folik ndodhen në produktet bimore dhe shtazore, Vitamina B12 vetëm në ushqimet shtazore (dhe një sasi vetë sintetizohet nga organizmi). Pothuajse nuk ekziston në praktikë si faktor i zbrazjes së depove përkatëse mosmarrja në ushqime e hekurit dhe e vitaminave. Më tepër është një shkak ndihmës për shkaqet e tjera të zbrazjes së depove që janë këto sipas rëndësisë: humbja e hekurit (hemoragjia e vogël e përsëritur ku futet dhe dhurimi i përsëritur i gjakut), mbikonsumimi, mosthithja, mosmarrja në ushqime për deficitin e hekurit (hipoferritinemia) dhe mbikonsumi (proliferim malinj/beninj qelizor), mosthithje, mosmarrje e vitaminave për Defiçitin e Vitaminës/Vitaminave B12 dhe Acid Folik (B9). Dhe gabimi tjetër praktik “anemia mjekohet me ushqime”.
Pra ju po thoni që anemia nuk mund të mjekohet me ushqime?
Nuk ka asnjë anemi që korrigjohet me ushqime. Maksimumi i hekurit ditor që mund të arrijë njeriu të marri një njeri në maksimumin e ushqyerjes së tij është 10-14 mg. Doza ditore terapeutike e hekurit është 200 mg hekur elementar në ditë për adultët, sasi që gjendet në 4.5 kg mish të kuq dhe kjo për të paktën 3 muaj rresht (1-1.5 muaj për korrigjimin e anemisë dhe 1.5 muaj plus për korrigjimin e depove përkatëse). Përdorimi i shpretkës, verës së kuqe, spinaqit etj. është një buadallallëk i vërtet të cilin nuk po arrijmë ta heqim. Mjekët të mësohen të kërkojnë Ferritineminë (ferritinemia e ulur është 100 % mungesë e hekurit), ideale ishte të kishim dhe një markues të tillë dhe për vitaminat.
Të luftohet për tu gjetur dhe nëse është e mundur të eliminohet jo shkaku i anemisë (ai dihet që është deficiti përkatës), por shkaku i deficitit/deficiteve (në rastin e kombinuar) ku në bazë të tyre mund të jenë dhe sëmundje malinje. Pra, mjekët të mos mjaftohen thjesht me faktin e mjekimit të anemisë, por të korrigjimit të saj të plotë, të korrigjimit të depove (në vendin tonë pasi korrigjohet anemia mjekët dhe vetë njerëzit e ndërpresin mjekimin) dhe të eliminimit ose të paktën të kompensimit të shkakut të deficitit/deficiteve. Në rast se këto realizohen patologjia hematologjike shërohet dhe nuk ka shumë sëmundje që shërohen. Pjesa më e madhe e tyre mjekohen.
Ku ndodh kryesisht gabimi në mjekimin e anemisë në vendin tonë?
Me mënyrën si i vlerësojnë dhe i mjekojnë Anemitë Deficitare në Shqipëri mjekët tentojnë ta mjekojnë, por asnjëherë ta shërojnë. Në rast se shkaku/shkaqet e deficitit/ deficiteve nuk eliminohen ose të paktën të kompensohen, Anemitë Deficitare mund të korrigjohen plotësisht, por deficiti me ose pa anemia do të përsëriten (në varësi të madhësisë së shkakut. Dhe për këtë nuk e ka më fajin hematologu, as preparati, por fakti që nuk është eliminuar ose korrigjuar shkaku/shkaqet dhe kjo kërkon bashkëpunimin me specialitete të tjera (gjinekologu, gastrologun, urologun).
Abuzohet me fjalën “mjekohem me hekur” dhe me përdorimin kotë të Vitaminës B12 (“për të rritur fuqinë” 5-10 ditë Vitamina B12 I/M. Mjekimi duhet bërë me dozën optimale mjekuese ditore për kohën e caktuar deri në korrigjimin e plotë të anemisë (Hbe” 12 gr/dl tek femrat dhe e”13 gr/dl tek meshkujt (jo përmirësim i saj siç ndodh në praktikën tonë mjekësore) dhe pasi korrigjohet anemia do të vazhdohet mjekimi deri në korrigjimin e depove dhe vetëm atëherë detyra është bërë siç duhet. Anemia e lehtë, e mesme, e thellë njësoj vlerësohen dhe mjekohen. Po ky vlerësim dhe mjekim ka vlerë dhe kur zbulojmë fazën e deficitit, pa u instaluar akoma anemia. Anemitë e lehta dërgojini tek specialist, ti vlerësojë dhe mjekojë. Një pjesë e rëndësishme e anemive të lehta në vendin tonë janë të lindura (Talasemia Minor) që sigurisht në shumicën e rasteve nuk vlerësohet siç duhet. Nëse doni të kontrolloheni për një patologji të gjakut të fillohet me: gjak komplet + ferritinemia + elektroforeza e hemoglobinës (bartësit e drepanocitozës nuk zbulohen me analizën e gjakut periferik). Janë analiza të rutinës, bëhen në çdo orë të ditës dhe nuk ka nevojë të jesh esëll. /Panorama