MENU
klinika

Krimi në Pogradec

Kush e raportoi vrasjen e Egli Progës si një rrëzim aksidental?

12.08.2024 - 17:14

Vrasja e Egli Progës mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pogradecit, në orët që pasuan u shoqërua me një sërë paqartësish mbi dinamikën dhe nëse ngjarja ishte një vdekje aksidentale si pasojë e konsumimit të alkoolit nga ana e viktimës apo një vrasje siç dyshimet janë më të shumta.

Në momentet e para kur i ndjeri u gjet në rrugë, mediat raportuan se sipas të dhënave paraprake, 42-vjecari në gjendje të dehur ishte rrëzuar dhe kishte gjetur vdekjen. Por konstatimet e para të mjekëve që tentuan t’i japin ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, ngritën dyshime se i ndjeri ishte dhunuar. Dhe verifikimet e mëpasme të policisë me pyetjen e dëshmitarëve në vendngjarje dhe pamjet e kamerave të sigurisë dolën në përfundimin dhe Egli Proga ishte dhunuar nga Denis Meçe dhe tre persona të tjerë të cilët tashmë janë arrestuar nga policia e Pogradecit. Ngjarja kishte ndodhur jashtë ambienteve të lokalit.

Këto janë momentet e fundit të viktimës Proga, pasi ka dalë nga lokali dhe është konfliktuar më pas me personat e arrestuar. Edhe familjarë të ndjerit gjatë orëve të para pas ngjarjes kanë pretenduar se policia ka tentuar të fshehë motivet e ngjarjes, edhe pse komisariati i policisë së Pogradecit nuk nxori asnjë njoftim paraprak mbi ngjarjen.

Njoftimi i parë zyrtar i policisë ka qenë të nesërmen e ngjarjes ku njoftonte arrestimin e personave të dyshuar, të cilët pas një konflikti për motive të dobëta kishin goditur duke i shkaktuar vdekjen viktimës Egli Proga.

Sakaq mes dyshimeve nëse policia e Pogradecit ka tentuar apo jo të devijojë dinamikën dhe autorësinë e ngjarjes, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar nisjen e inspektimit në drejtorinë e policisë së Korçës për rastin e vrasjes së42-vjecarit, inspektimi i cili do të synojë verifikimin e të gjithë tërësisë së veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN