MENU
klinika

Çështja e urës në Mitrovicë

Osmani: Nuk është në interes të Kosovës konflikti me aleatët

15.08.2024 - 13:54

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet, por kjo duhet të ndodhë në bashkërendim dhe të mos nxisë konflikt me aleatët perëndimorë.

Ajo i bëri këto komente gjatë një vizite në komunën e Vitisë, rreth 70 kilometra në Jug të Prishtinës, mes debateve rreth synimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që nuk mbështetet nga diplomacia perëndimore.

“Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të mbetët e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, tha presidentja Osmani.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës mbi lumin që shënon vijën ndarëse ndërmjet veriut të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, do t’i shërbente lëvizjes së lirë dhe nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “mos ta ndërmarrë këtë veprim të pa bashkërenduar”.

“Hapja e urës për trafikun e makinave tani, rrit mundësitë për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk janë shprehur kundër hapjes së urës.

“Por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe të hartojnë së bashku planin e zbatimit i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike sepse bashkëpunojnë institucionet tona dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por i përhershëm”, tha presidentja Osmani.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër dhe kanë bërë thirrje që çështja të zgjidhet në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se çështjen do ta shtrojë në takimin e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por pa dhënë ndonjë hollësi për planet e ndonjë takimi.

Autoritet në Prishtinë thonë se kjo çështje tashmë është trajtuar në marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Presidentja Osmani tha se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zyrtarëve të saj janë raciste, nuk besoj se meritojnë vëmendje nga ana ime. E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë e pyesim Serbinë“, tha ajo.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që ishte në vitin 2014 bëri të mundur që në gusht të vitit 2016 të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për revitalizimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë

Zotohen për thellim të bashkëpunimit

Kosova dhe M. e Veriut nënshkruajnë tri marrëveshje