MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Vetëm të vdekurit kanë të drejtë!

15.08.2024 - 14:59

Vetëm të vdekurit kanë të drejtë! Vetëm ata nuk kanë më interesa e të bëhen rob të interesit, nuk kanë mundësi të mbrojnë vetën apo të sulmojnë tjetrin, të ndryshojnë thënie e të veprojnë ndryshe, t’i dorëzohen pishmanit, të dëshmojnë të vërtetën e tyre alternative apo të kthejnë mendim. Duke ikur ata lënë pas të gjallët që mund të bëjnë ekzaktësisht të kundërtën e pamundësive të tyre. Në ndjekje të interesit, të gjallët e lënë pas, madje edhe mund të rivrasin të vdekurin nga ligësia, nga marrëzia apo nga dhjetra arsye të tjera. Kështu është për gjithkënd e gjithmonë në raportin mes atyre që përgjigjen në apelin e jetës dhe atyre që i kanë ikur asaj. Kështu është rast pas rastit. Dhe në rastin e vdekjes së Egli Progës, cfarë thotë ai me heshtje, është e vetmja e vërtetë e pakundërshtuar nga asnjë simotër e saj alternative.

Vrasja e tij shënjon një vdekje absurde, një tragjedi që nuk e solli Zoti, por marrëzia e njeriut dhe urrejtja e verbër e momentit. Një qënie njerëzore, baba dy fëmijësh dhe bir i një ati të dërmuar, vella motre të pangullëlluar dhe qytetar i zakontë i këtij vendi, ai meriton gjithë dhembshurinë dhe empatinë e gjithkujt që mund të ishte në vendin e tij në të njëjtat rrethana. Ai është viktimë e mentalitetit të ngulitur tashmë në shoqërinë shqiptare që i dobëti është fajtor për dobësinë e tij. Pjesa tjetër është pasqyra e deformuar ku shihet nje portret po aq i deformuar i gjithë shoqërisë.

Dy pushtete kushtetues, legjislativi dhe drejtësia u përfshinë papritur në betejë se kush ka kryer keq detyrën. Të vënë në presion nga media, si kulm i tretë i pushtetit publik, përvec autorit, kërkimi i bashkëfajtorëve bëhet me një zhurmë të mjaftë për të zgjuar dhe vetë të vdekurin.

E si të mos mjaftonte e gjithë skena e një teatri absurd, ku bashkëjetesa mes hipokrizisë e zhurmës, mirësisë së fshehur dhe llogarisë politike, padurimit për të treguar me gisht tjetrin dhe skena e jetës në provincë, në Tiranë del e plotë skeda e vdekjes së viktimës, fiks sic e kanë shkruar mjekët ligjorë; një makabritet lebetitës që i shërben vetëm vetëm kuriozitetit të sëmurë, që i serviret vetëm klimës së helmit dhe urrejtjes që helmon me urrejtje gjithë ngjarjen tragjike e fatkeqe.

Duket sikur të gjithë nxitojnë të thonë: Nuk isha unë! Në fakt të gjithë, absolutisht të gjithë, e bërë gishtin e tyre nashkë me grushtin e goditjes fatale ndaj një qytetari të pafajshëm. Të gjithë arkitektët e egërsisë politike në vite, të gjithë ata që kanë krijuar kultin e të fortit të dobishëm e deri tek ata që e kanë pranuar dobësinë dhe varfërinë si krimin më të madh që mund të kryejë një qytetar shqiptar, janë bashkautorë në krim. I vetmi i pafajshëm është Egli që iku dhe të tjerë që presin qe shorti fatal të bjerë mbi ta. Herët a vonë!

Sipas parimit që edhe vrasësit që janë gjithashtu viktima, edhe viktimat që ikin pa kuptuar se pse ju duhet të ikin nga kjo botë, vrasin iluzionin tonë se po ndërtojmë një shoqëri të drejtë e njerëzore! Por me një diferencë domethënëse: të vdekurit nuk gabojnë kurrë, kurse vrasësit direktë duhet të paguajnë për të gjithë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN