Zëvendëskryeministri i sanksionuar i Serbisë, Aleksandar Vulin, disa ditë pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Rusi, ka pretenduar se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër “është shumë e rrezikshme”. Ideja kryesore e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me hapjen e urës së Ibrit, sipas pretendimeve të Vulinit është “pushtimi i Veriut të Kosovës” përmes Policisë së Kosovës.
“Politika e Albin Kurtit është ‘spastrimi etnik’ i Kosovës. Dëshira e tij është që të pastrojë Veriun dhe Jugun e Kosovës nga serbët”, ka pretenduar ai.
Vulin duke cituar rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tha se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është garantuesi i mbijetesës së serbëve në Kosovë, andaj detyra e tyre, sipas pretendimeve të tij, është “mbrojtja e serbëve”. Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment. Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.