Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 298.8 milionë euro. Fatura e këtij projekti është rritur nga planifikimi fillestar, ku pritej që ky zgjerim i 31 kilometrave të bëhej për 205 milionë euro. Puna për zgjerimin e autostradës nis me përfundimin e sezonit veror në 2 lotet e para kthesa Kamzës-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilët janë shpallur edhe fituesit.
Në dokumentin e rishikuar të Politikave Prioritare 2025-2027, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare, janë saktësuar edhe vlerat e reja financiare për një sërë projektesh të mëdha. Konkretisht rruga e re Tiranë-Ndroq-Plepa, që mund të shërbej si alternative nëse autostrada Tiranë-Durrës bëhet me pagesë, ka një faturë të dyfishuar në raport me planifikimin fillestar. Kostoja për ndërtimin e saj është rritur në 87 milionë euro, nga 39.8 milionë euro që ishte.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me projektin për Baypassin e Elbasanit që është futur në listën e prioriteteve të matururara. Kostoja fillestare ishte planifikuar në 97.3 milionë euro, ndërsa tashmë ka arritur në 240 milionë euro.
Një tjetër vepër me faturë të kripur financiare është Korridori VIII. Edhe pse nuk specifikohet burimi i financimit nëse do të jetë tërësisht financim i shtetit apo me ndihmë të ndërkombëtarëve, fatura për ndërtimin e aksit Rrugor Elbasan-Lekaj është parashikuar të jetë 360 milionë euro.
Nga lista e prioriteteve të maturuara është hequr Aeroporti i Sarandës pasi ka ndryshuar vendndodhja për në Gjirokastër dhe është shtuar projekti i ri i Baypassit të Sarandës me vlerë 34 milionë euro.
Lista fillestare e prioriteteve ka ndryshuar jo vetëm për vlerat por edhe për projektet që janë shtuar ose hequr. Në dokumentin e miratuar 5 muaj më parë projekt i maturuar, pra që ishte në fazë të avancuar ishte edhe hidrocentrali i Skavicës, por me ndryshimet e bëra Skavica me vlerë investimi 800 milionë euro ka kaluar në listën e projekteve pjesërisht e maturuar. Në vend numëro është edhe projekti për të vënë në punë TEC-in e Vlorës, apo investimi strategjik për ndërtimin e Hekurudhës Durrës-Prishtinë prej 750 milionë eurosh. Projekte këto që janë në stadin pjesërisht të maturuar.
Në dokumentin e ri janë 51 projektet prioritare të maturuara, të cilat konsiderohen në fazë të avancuar pasi ka përfunduar studimi i fizibilitetit apo studime të tjera të projektit, vlera e të cilave kapërcen shifrën e 4.5 miliardë eurove. Janë 53 projekte në proces maturimi për të cilat është iniciuar studimi i fisibilitetit dhe janë 33 të tjera të pamuturuara, pra në fazë ideje./shqiptarja.com
ZGJERIMI I AUTOSTRADËS TIRANË-DURRËS
Vlera fillestare 205,000,000 euro
Vlera e re 298,860,000 euro
Diferenca +93,860,000 euro
RRUGA E RE TIRANË-NDROQ-PLEPA
Vlera fillestare 39,827,760 euro
Vlera e re 87,000,000 euro
Diferenca 47,172,240 euro
BAYPASS I ELBASANIT
Vlera fillestare 97,300,0000 euro
Vlera e re 240,000,000 euro
Diferenca +142,700,000 euro