Qysh para zgjedhjeve të 2009-ës, kam zhvilluar disa sondazhe për parti të reja, ku ka rezultuar se për to ka goxha përkrahje elektorale disa muaj para zgjedhjeve. Por një sëmundje kronike e tyre ka qenë rregullisht avullimi i përkrahjes muajin e fundit të fushatës, kur partitë e vjetra ndezin motorët elektoralë në terren, dhe kur mediat kryesore pasqyrojnë kryesisht aktivitete të partive të vjetra.
Po a do të ndodhë përsri e njëjta gjë në zgjedhjet parlamentare të pranverës 2025? Ndoshta jo, sepse kësaj rradhe do të kemi një risi – rreth 1.7 milionë zgjedhës jashtë vendit do të kenë mundësinë ta dërgojnë votën e tyre me postë. Dhe kështu, në zgjedhjet e 2025-ës mund të ndryshojë edhe fati i partive të reja…
Nga një sondazh që zhvillova në qershor, më rezultoi se për partitë e reja ishin gati të votonin rreth 11% e asaj pjese të elektoratit të këtushëm që e ka ndarë mendjen për të votuar qysh një vit para zgjedhjeve. Dhe kjo përkrahje e lartë praprake e këtushme shpjegohet me faktin se partitë e reja janë shumë aktive në internet e rrjete sociale (siç kanë qenë partitë paraardhëse të tyre ndër vite). Kur qytetarë të thjeshtë anketohen shumë muaj para zgjedhjeve, ndikohen nga kritikat që partitë e reja bëjnë ndaj partive të vjetra të stërprovuara, e për rrjedhojë, thonë se do ta provojnë t’ua japin votën partive të reja.
Por kur të vijë muaji i fundit para zgjedhjeve të 2025-ës, një pjesë e mirë e këtyre përkrahësve të këtushëm të partive të reja mund të ndikohen nga fushatat në terren dhe media të partive të vjetra, e për rrjedhojë, mund të shkojnë në istikamet e tyre (siç kanë bërë në zgjedhjet paraardhëse).
Ndryshe mund të ndodhë me përkrahësit në emigracion të partive të reja. Ata do të vazhdojnë të ndikohen nga fushatat e partive të reja në internet dhe në rrjete sociale. Sa më aktive dhe kritike të jenë ato ndaj partive të vjetra, aq më i madh është probabiliteti që ta ruajnë deri në fund përkrhajen e votuesve të tyre në emigracion.
Se sa është aktualisht përkrahja elektorale në emigracion për partitë e reja ende nuk është matur. Por ndoshta së shpejti do të fillojnë edhe sondazhet për ta matuar atë.