Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike nga radhët e mazhorancës dhe opozitës. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Ngjela, thotë se Meta nga veprimet e fundit ndaj SPAK, tregon se i janë sekuestruar pasuritë e pajustifikuara. Akoma më tej, Ngjela shprehet se Meta e ka kuptuar që ka filluar procesi për sekuestro që do t’ju vendosen pronave të tyre. Nga ana tjetër, avokati si duket ‘parashikon fatin’ e ‘non-gratës’ ku thotë se SPAK vijon përgjimet ndaj tij. Jo vetëm kaq, avokati Ngjela thotë se ka një bashkim mes krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë shtetëror, ku është ekonomia dhe paraja, çelësi që i lidh këto dy komponent ku nga ana tjetër, kjo gjë e dëmton shtetin, pasi kjo e fundit iu jep koncesione krimit të organizuar dhe shteti ato para i fut në xhepin e tij.
-Pse Ilir Meta së fundmi është trembur dhe filloi sërish kërcënimet e forta ndaj SPAK. Madje ai tha se Altin Dumani po i bllokon llogaritë bankare? A po paralajmëron ish-presidenti sekuestrimin e pasurive të tij korruptive?
Natyrisht, duhet t’ja kenë sekuestruar pasi është në proces penal për korrupsion. Mund të jetë në ndjekje, mund të jetë në akuzë, kjo nuk ka rëndësi shumë por ato i kanë gjetur pasuri të pajustifikuara dhe natyrisht që do të vihen në sekuestro. Pyetja është se ku e ka forcën Meta të kërkon të trembi shtetin? Ai ka apo nuk ka një revole, si do e trembi shtetin ai? Meta me këto veprime nuk po tremb shtetin por e ka me SPAK-un. Këtë të fundit e drejton Ëashingtoni, e kë kërkon të trembi ai në këtë rast. Meta si duket e ka kuptuar që ka filluar procesi për sekuestro që do t’ju vënë pronave të tyre. Meta le të shkojë në Gjykatë e të marr pafajësinë.
-Avokat, keni thënë në një analizë të fundit se SPAK duhet ta nxjerrë sa më shpejt në gjyq Sali Berishën pasi dënimi i Saliut shpëton PD-në dhe dobëson Ramën, në zgjedhjet e 2025. Mendoni se SPAK në gjithë këtë vonesë për dosjen Partizani po bën gati të gjitha provat që Sali Berisha mos ketë asnjë argument në rast arrestimi, se gjyqi i tij është politik?
E para, Sali Berisha është i arrestuar, por është në arrest shtëpie pasi është në moshë 80-vjeçare. Po të mos kishte moshën 80-vjeçare, ai do të ishte në biruc. Këtë ia ka dhënë lehtësia e ligjit por quhet i arrestuar dhe nuk del dot ai. Përgjimet ndaj Berishës vijojnë pasi kushedi se çfarë kërkojnë. Ka mundësi që t’i hetojnë çështje të tjera, nuk e di, por atë për të cilën akuzohet është kapur në flagrancë dhe nuk ka shpëtim e mbrojtje, megjithatë duhet të shikojmë hap pas hapi se çfarë ka ndodhur.
-Keni thënë se edhe Rama në djall do të shkojë, nëse vijon të veprojë si bllokues i bashkimit të shqiptarëve në Ballkan? Çfarë nënkuptoni me komentin tuaj?
Bashkimi Kombëtar, dy shtete shqiptare në Ballkanin Perëndimor është non sens, e palogjikë. E gjithë Rilindja Kombëtare, i gjithë nacionalizmi shqiptar e patriotizmi shqiptar, dy kërkesa të mëdha patriotike ka patur: një Kosova dhe Çamëria. Tani Kosova doli, e kanë shqiptarët në dorë. Që të fillojë një proces bashkimi, qoftë si federatë, dy shtete shqiptare në një federatë kjo kërkon masa paraprake në lidhje me bashkimet e të dyja ekonomive. Nuk kemi shenja fare në bashkimin ekonomik, midis Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk kemi investime të përbashkëta, në lidhje me investimet që mund të ketë në Kosovë dhe në Shqipëri. Janë dy shtete të pavarur, kanë buxhetet e tyre të ndara. Pse nuk bëjnë investime. Bëjnë qytetet investime të përbashkëta të dy shteteve që mund të ketë në lidhje me në Kosovë dhe në Shqipëri. Janë dy shtete të pavaruar, kanë buxhetet e tyre por pse nuk bëjnë investime të përbashkëta dhe pastaj ia shesin kapitalit, njësoj siç vepron i gjithë Perëndimi.
-Edi Rama ka paralajmëruar se do të largojë nga PS të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë? Mendoni se ky qëndrim i kryeministrit do t’i japë fitoren në zgjedhjet e 2025?
Këtë nuk e dimë, por këtë gjë e ka thënë që në fillim ku nuk iu ka dalë asnjërit në mbrojtje. Mbrojtja juridike duhet të ishte se me votat e mazhorancës, iu ka hequr imunitetin. Në qoftëse atyre, që janë arrestuar që nga Berisha e deri të ato të vetët, ku nuk është një numër i vogël, nëse Rama do t’i mbronte, nuk do iu hiqte imunitetin. Nëse i hiqet mandati një deputeti, një kryeministri a një ministri, nuk mund të arrestohet. Rama i ka hequr imunitetet dhe nuk ka marrë përgjegjësi fare pasi ka anuar nga pushteti gjyqësor.
-Po shohim se SPAK po godet së fundmi personazhe të njohur të botës së krimit, a është një strategji që të priten duart që lidhin krimin me politikanë, duke parë se zgjedhjet janë afër dhe kriminelët përdoren gjithmonë për të fituar zgjedhje në Shqipëri?
Ka patur një bashkim midis krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë shtetëror. Pa krimin e organizuar në ekonomi, korrupsioni i lartë shtetëror nuk bën dot gjë sepse këto janë paratë. Nga i merr paratë. Dëmton shtetin, interesin shtetëror ose interesin shoqëror dhe iu jep me koncesione. Por koncesionet iu jep me para dhe paratë i fut në xhep, ky është koncesioni. Kryeministri, ministri, zv. Ministrat, ata që kanë bërë aferat por ama është prekur edhe interesi shtetëror edhe interesi shoqëror por edhe zhvillimi kombëtar. Këtë ka sjellë korrupsioni. Po SPAK-u a do ta çojë deri në fund luftën kundër korrupsionit? Unë besoj se po.