Shumë shpejt do të aplikohet një skemë e re për pensionet, por edhe për mbrojtjen sociale në tërësi. Duke qenë se reforma e bërë në vitin 2014-të e ka mbyllur ciklin e saj dhe nuk ka adresuar siç duhet problematikat, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare po bëhen gati të vënë në jetë një reformë të re, e cila synon të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe të sjellë të ardhura më të larta për pensionistët. Mësohet se në këtë skemë në fokus janë pensionet e ulëta. Kategoria e parë që po rishikohet janë pensionet e fshatit.
Premtimi i qeverisë është që të mos ketë më pension nën 150 euro. Me ndryshimet e reja që mund të bëhen brenda këtij viti, ose në fillim të vitit 2025, kur të futet në fuqi skema e re, pritet të përfitojnë mbi 140 mijë qytetarë, pasi vetëm në zonat rurale janë 96 mijë e 418 qytetarë me një pension në masë të ulët. Teksa rreth 86 mijë gëzojnë pension pleqërie, 5 mijë e 636 invaliditeti, 3880 pension familjar dhe më pak të aksidentuarit në punë. Pensioni mesatar për këto kategori vijon nga 1 mijë e 884 lekë për familjarët e deri në 11 mijë e 51 lekë për pensionet e pleqërisë. Por me masë më të ulët se 150 euro ka dhe në qytet, ku qytetarët që kategorizohen përfitues për pensionin familjar marrin një shumë deri në 8 mijë e 558 lekë. Por për ekspertët vetëm një indeksim në shifra dyshifrore do të sillte rezultate për qytetarët.
Ndryshimet në tetor
Nga ana tjetër, në kuadër të reformës së pensioneve që pritet të finalizohet në fundin e këtij viti ekspertët po diskutojnë një formulë që të rrisë përfitimet për pensionet më të ulëta duke përdorur indeksimin. Prej vitesh indeksimi i pensioneve ka qenë në shifra të ulëta që kapnin nivelin e deri në 3 për qind. Sakaq, vitet e fundit si pasojë e situatave jo të zakonshme si pandemia apo rritja stratosferike e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, indeksimi ka ardhur në rritje të dukshme . Aktualisht, indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të mallrave të shportës së pensionistëve. Vitin e kaluar u aplikua një indeksim 8.6% (inflacioni i pensionistëve), por e përkthyer në vlerë, përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. Psh., një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tri herë më të lartë. Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, pohoi pak ditë më parë për gazetën “SOT” se të paktën indeksimi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe të barnave, do të sjell një indeksim të paktën dyfish më të lartë krahas indeksimit vjetor i cili realizohet në muajin tetor për 717 mijë të moshuar.
Por një ekspert tjetër i ekonomisë Kujtim Hoxha planin e e qeverisë për indeksimin e pensioneve për rritje të vlerës do të përdor indeksimin e shportës së ushqimeve dhe barnave, nuk e konsideron si diçka pozitive pasi shprehet se çmimet e ushqimeve vihen të pakontrolluara nga qeveria e si të tillë nuk sigurohet një pension dinjitoz për mbulimin e shpenzimeve mujore. Hoxha, nga ana tjetër thotë se deri tani nuk ka një vendim qeverie a projekt sesa do të rritet konkretisht vlera e pensionit por në buxhetin e miratuar në vitin 2023 për 2024, të miratuar në përllogaritje rezulton se me 3 muajt e mbetur (tetor, nëntor, dhjetor), pensioni rritet për secilin muaj mesatarisht 5700 lekë në total e përkthyer për çdo muaj 1910 lekë të rinj. Por tjetër mendim ka eksperti Koço Broka, i cili thotë se inflacioni i çmimit të shportës dhe ushqimeve është më i madh se inflacioni i mesatar vjetor. Me këtë normë vlefshmërie, ai lë të kuptohet se ky lloj indeksimi është në përfitim të pensionistëve duke i vlerësuar më shumë në vlerën e pensionit.