Prej datës 14 gusht, aplikimet për 300 kredi të buta për punonjësit e administratës kanë përfunduar.
Por si do të bëhet përzgjedhja e fituesve dhe cilat janë kategoritë më të predispozuara për të fituar? “Gazeta Panorama” zbardh sot mënyrën si do të bëhet përzgjedhja dhe aplikimin e sistemit të pikëzimit.
Sakaq, në vendimin “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike e Këshillit të Ministrave” bëhet dhe ndarja e kuotave të punonjësve përfitues sipas ministrive përkatëse. Sipas këtij vendimi parashikohet që të mbështeten mjekët, policët dhe ushtarakët. Ndër kriteret kryesore, është që përfituesit të jenë familje të reja, ku mosha e aplikantit nuk duhet të jetë më e madhe se 38 vjeç.
Gjithashtu, ka ndryshuar niveli i të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u kualifikuar në programin e banesave me kosto të ulët, duke bërë referencë me çmimet e banesave në treg. Sipas Kombeve të Bashkuara dhe raporteve të ndryshme të ekspertëve, një treg konsiderohet i përballueshëm nëse ky raport është 1:4. Për shembull, nëse çmimi mesatar i një apartamenti 2+1 në Tiranë është 9,76 milionë lekë, ky treg është i përballueshëm, nëse të ardhurat mujore mesatare të familjeve me 4 persona në Tiranë janë 200 000 lekë. Për këtë treg banesash, familjet përfituese nga instrumenti financiar i interesave të kredive, duhet të kenë të ardhura mujore nën 135 000 lekë.
PËRZGJEDHJA
“Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2024 janë, gjithsej, 300 (treqind) dhe ndahen, si më poshtë vijon: a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme; b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes; c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit; d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,- thuhet në vendimin e qeverisë.
Specifikisht përfituesit në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe tabelat bashkëlidhur, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara.
Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0 (zero) %. “Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””,-thuhet në vendim.