MENU
klinika

Mbështesin fuqishëm Nënpresidenten Harris

Barack dhe Michelle Obama, elektrizojnë demokratët!

21.08.2024 - 17:45

Ish-Presidenti amerikan Barack Obama iu drejtua demokratëve në Kuvendin Kombëtar të martën, duke thënë se Nënpresidentja Kamala Harris është zgjidhja e duhur për të sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ish-Presidenti dhe bashkëshortja e tij Michelle ishin folësit kryesorë të natës së dytë të Kuvendit në Çikago.

Një pritje entuziaste në Kuvendin Kombëtar Demokrat për ish-Presidentin Barack Obama.

“Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më frymëzuese. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris”, tha zoti Obama.

Ai vuri në pah kontrastin mes Nënpresidentes Harris dhe rivalit të saj republikan, ish-Presidentit Donald Trump.

“Kamala Harris nuk do të mendojë vetëm për veten e saj. Ajo do të përqendrohet tek ju. Si presidente, ajo nuk do të kujdeset vetëm për mbështetësit e saj dhe të ndëshkojë ata që nuk janë dakord me të. Ajo do të punojë në emër të çdo amerikani – kjo është Kamala.”

Zoti Obama u prezantua nga gruaja e tij Michelle, e cila në fjalimin e saj tha se në kohën e shkurtër deri në zgjedhje, demokratët duhet të bëjnë fushatë intensive për zonjën Harris.

“Nuk mundet thjesht të vrasim mendjen nëse ky vend do të zgjedhë dikë si Kamala. Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të zgjedhur dikë si Kamala”, tha zonja Obama.

Megjithëse procesi i emërimit të zonjës Harris si kandidate u bë në fillim të këtij muaji, një apel ceremonial i votave të shteteve, tregoi entusiazmin e demokratëve për të.

Nënpresidentja Harris falënderoi delegatët nga distanca nga një tubim zgjedhor në Miluoki të Viskonsinit.

Një nga folësit e mbrëmjes ishte edhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff i cili e quajti gruan e tij një luftëtare optimiste.

“Ajo do të udhëheqë me bindjen se pavarësisht nga origjina jonë apo cilit grup i përkasim, ne jemi më të fortë kur luftojmë për atë që besojmë, jo vetëm kundër asaj që i druhemi”, tha ai.

Në natën e dytë të Kuvendit Demokrat folën edhe disa ish-anëtarë të administratës së zotit Trump dhe zyrtarë republikanë që mbështesin zonjën Harris.

“Trump bëri premtime të mëdha: për rritje ekonomike të pakufizuar, për një rilindje të prodhimit amerikan, një kufi të sigurt. Por rezultoi që i kishte vetëm fjalë”, tha John Giles, kryebashkiak republikan i qytetin Mesa të Arizonës.

Të mërkurën, do t’u drejtohet delegatëve në Çikago Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë si kandidat për nënpresident./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zgjedhjet presidenciale në SHBA

Cila është karta e fshehur e Kamala Harris


Trump po zgjidh “fjalëkryqin” e personelit

Këta janë njerëzit që do të kenë në dorë fatin e SHBA

Gjermanët sjellin në kujtesë tmerrin dhe gëzimin!

Rënia e Murit të Berlinit, 35 vite nga ngjarja që ndryshoi botën!

“Biden duhet të ishte larguar më herët”

Pelosi “thumbon” Biden dhe Harris për humbjen e demokratëve

“Lista e zezë” e Trump vetëm është shtuar për 4 vjet

Kush janë “armiqtë e përbetuar” të presidentit të ri të SHBA

Meloni: S’mund të mbështetemi te SHBA-ja

Zgjedhja e Trump si President dhe situata ekonomike në BE