Emmanuel Macron po shkon në Serbi për të çuar mbetjet bërthamore të Francës. Është ky dyshimi i ngritur nga media Nova në Beograd. Gazeta shkruan se presidenti francez do të diskutojë me udhëheqësit serbë edhe për Kosovën dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Nova thekson se Franca ka një problem me depozitimin e mbetjeve bërthamore dhe ekziston një teori se mund të përdorë Serbinë për asgjësimin e tyre pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me “French Eletric Company”.
Ky raportim ka irrituar anëtarë të qeverisë serbe, madje edhe presidentin Aleksandër Vuçiç, i cili e quajti shkrimin “një gënjeshtër brutale”. “Është një marrëzi kundër interesave të Serbisë. Disa po punojmë qëllimisht kundër vendit të tyre, për ta shkatërruar atë”, theksoi Vuçiç gjatë një eventi.
Presidenti serb tha se bashkëpunimi me Kompaninë Franceze të Energjisë është për të mësuar se si ka arritur që t’i sigurojë Francës më shumë energji falë impianteve bërthamore. Raportimi i medias Nova vjen vetëm pak ditë përpara se Macron të arrijë në Beograd më 29 gusht për një vizitë zyrtare.
Në fjalimin e tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç konfirmoi për herë të parë se është takuar me shefin e CIA-s amerikane, William Burns, pak ditë më parë, madje zbuloi dhe atë që sipas tij nuk ishte një sekret.
“Kemi pasur biseda të dobishme dhe të mira. Unë qesh me ata që thonë se ishte një vizitë sekrete”, u shpreh ai. Më pas shtoi se takimet me shefat e shërbimeve sekrete nuk pasohen asnjëherë me deklarata dhe se për këtë kishte pasur pajtim me amerikanët. “Temat ishin të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë. Ne patëm një takim të dobishëm, të sjellshëm dhe të rëndësishëm”, përfundon Vuçiç.