Numri i pensionistëve që përfitojnë trajtim financiarë nga skema e sigurimeve shoqërore është rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, të siguruara nga SCAN TV, bëjnë me dije se deri në Qershor 2023, numri i pensionistëve përfitues ka arritur në 713.333 individë, me një rritje prej 8334 përfitues më shumë se fundviti që lamë pas. Në këtë kategori përfshihen pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare. Në krahasim me Dhjetorin 2023, numri i pensioneve të pleqërisë ka pësuar një rritje me 8420 përfitues më shumë, duke e çuar numrin total në 599.069 të moshuar në vend, numri i pensioneve të invaliditetit ka rënë me 290, duke regjistruar një numër total prej 66.305 dhe numri i pensioneve familjare është rritur me 201, duke bërë që nga kjo kategori të jenë rreth 47.959 përfitues. Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve shoqërore, në Qershor 2024 skema financon edhe 65.071 pensione suplementare me një rritje prej 644 të tilla në raport me dhjetor 2023.
Në këtë kategori përfshihen përfitimet për sigurimin suplementar shtetëror, sigurim suplementar i ushtarakëve, trajtim i veçantë i punonjësve të nëntokës, trajtim i veçantë për pilotë fluturues në pension, statusi “dëshmor i atdheut”, trajtim i veçantë për punonjësit e industrisë ushtarake dhe i detarëve të nëndetëseve në pension, statusi “profesor, “naftëtar”, “metalurg” si dhe statusi “fëmijë në përkujdesje të shtetit”. Po ashtu mbulohen shpenzimet edhe për 3854 pensione të tjera ku përfshihen pensione të posaçme shtetërore, veteranë dhe invalidë të luftës, invalidë të punës që marrin rimbursim karburanti si dhe pensione sociale. Nga të gjitha këto skema, totali i përfituesve në fund të Qershorit 2024 rezulton 796.563 me një rritje prej 7136 përfitues në raport me Dhjetorin 2024. Referuar treguesve fiskale të Ministrisë së Financave, shpenzimet e buxhetit të shtetit për sigurime shoqërore në fund të korrikut 2024 janë 99.7 miliardë lekë, duke regjistruar rritje me 6.7 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.