MENU
klinika

Sisteme të integruara të menaxhimit

BE, plan rajonal për mbetjet në Ballkan!

25.08.2024 - 21:07

Bashkimi Europian ka vendosur që të krijohen sisteme të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Landfillet që nuk plotësojnë standardet do të mbyllen në të njëjtën kohë.

Po ashtu do të realizohen investime në menaxhimin më të mirë të mbetjeve në zonat ndërkufitare.

Do të ofrohet mbështetje për krijimin e sistemeve të përshtatshme për monitorimin e ajrit dhe ujit dhe masat për parandalimin e ndotjes.

Përsa i përket menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të ndotura, do të përfundojë ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup dhe Prishtinë. Këto janë projekte me rëndësi të madhe ndërkufitare që ofrojnë kushte më të mira jetese për qytetarët.

Do të fillojë zbatimi i programit të investimeve për mbrojtjen e mjedisit në Serbi, i cili përfshin projekte për modernizimin e sistemeve të trajtimit të ujërave të zeza në qytetet e mëdha dhe të mesme.

Komisioni propozon mobilizimin e deri në 9 miliardë Euro grante nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Aderimit IPA III për periudhën 2021 – 2027 për të mbështetur konvergjencën ekonomike me BE-në.

BE-ja ka ofruar mbështetje nëpërmjet Fondi të ri të Garancisë për Ballkanin Perëndimor që mund të mobilizojë deri në 20 miliardë Euro investime në dekadën e ardhshme.

Prokurimi publik duhet të harmonizohet me rregullat e BE-së. Kjo do të ndihmojë që korrupsioni në prokurim të mos pengojë zhvillimin ekonomik, të shtrembërojë tregun dhe të çojë në joefikasitet, duke ulur konkurrencën, tregtinë dhe investimet.

Këto reforma do të forcojnë gjithashtu masat mbrojtëse kundër çdo keqpërdorimi të fondeve të BE-së.

Që nga vitet 1990, Bashkimi Evropian ka dhuruar mbi 11 miliardë Euro grante dhe kredi për zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë në rajon, duke rezultuar në investime me vlerë gati 22 miliardë Euro.