MENU
klinika

Rama: E dimë që është vendimmarrje politike, por…

“Viti 2030 na gjen gati për t’u ulur në tryezën e BE”

26.08.2024 - 10:23

Shqipëria do të jetë 100 për qind gati për t’u ulur në tryezën e Bashkimit Evropian në vitin 2030, u shpreh kryeministri Edi Rama në Konferencën e Ambasadorëve që nisi sot punimet në Tiranë.

“Janë tre pika të rëndësishme që na kanë ndihmuar të arrijmë deri këtu. Krijimi i një vetëdije të re në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Jo se më parë të tjerët nuk kanë qenë të vetëdijshme, po jo rastësisht e theksova një vetëdije të re, ka shumë rëndësi të jesh i vetëdijshëm. Edhe përforcimi i aleancave strategjike, që janë të qartë si drita e diellit, edhe miqësitë tradicionale janë të njohura. Së treti, jemi profilizuar dhe do të vazhdoj të forcojmë profilin e partnerëve.

Ne p.sh. jemi miq të Greqisë dhe Turqisë, por në të njëjtën kohë, qoftë Greqia, qoftë Turqia, së bashku me Italinë janë parterët tanë strategjikë, vetëdija e përmasës është e rëndësishme për të ruajtur modestinë dhe për t’u rritur e fuqizuar më tej si shtet, por edhe si komb. Ndaj, është e rëndësishme të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës. Të ruhemi dhe nga kompleksi i inferioritetit. Për t’u rritur dhe për t’u fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqejmë respekt, duhet të flasim me qartësi dhe respekt me aleatët dhe miqtë tanë. Është shumë e rëndësishme dhe një nga arsyet që na ka ndihmuar që sot të gjendemi në një pozicion krejt tjetër, që kur flitet për Shqipërinë, nuk flitet për një vend në hije dhe me hije. Është e qartë që ka një tjetër tingull emri i saj. E dimë shumë mirë që të gjithë, 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për t’u ulur në tryezën e BE-së. E dimë që sa përmbushje detyrash, është dhe vendimmarrje politike. Por e qartë është se ne do të jemi gati. Është e lehtë ta thuash, por shumë më e vështirë ta bësh. Ndaj, duhet që edhe trupi ynë diplomatik të gjendet në një nivel të ri.

Sot, Shqipëria është një magnet që tërheq turistë nga e gjithë bota. Vjet kishim 10 milionë turistë. Kjo shifër këtë vit do të jetë konsiderueshëm më e lartë”. – tha Rama.