MENU
klinika

Dinamika e vrasjes në “Astir”

Çfarë dëshmoi i riu që i mori jetën Amarildo Hoxhallarit

26.08.2024 - 10:39

Mbrëmjen e së shtunës Tirana u trondit sërish nga një akt i rëndë, një i ri u plagos nga një tjetër i ri në zonën e “Astirit”.

I plagosuri, që u tha se kishte marrë 4 goditje me mjet mprehës, u dërgua në spital, por pas më pak se një ore ai ndërroi jetë. Autori nuk u largua nga vendi i krimit, ndërsa policia në vendin e ngjarjes rrethoi me shirit edhe një motomjet me të cilin u tha se lëvizte viktima bashkë me një shokun e tij. Madje, sipas autorit të ngjarjes, viktima ka qenë pasagjer në motor kur i kanë ngacmuar të fejuarën, me të cilën i riu sapo ishte përshëndetur dhe ishte ngjitur në shtëpi.

Nga ballkoni i banesës së tij, ai i tha policisë që po shihte dy djemtë që po i hidhnin fjalë të fejuarës. Ai ka folur nga lart, por djemtë, gjithnjë sipas autorit e kanë sharë dhe ofenduar edhe atë. Atëherë ai ka marrë një thikë në kuzhinë dhe ka zbritur poshtë. Po aty, thotë autori, ai është përleshur me viktimën dhe duke qenë se ata ishin dy veta, ai ka përdorur thikën që kishte me vete, duke e goditur 4 herë njërin prej tyre.

I riu që ndërroi quhej Amarildo Hoxhallari, ndërkohë që në pranga është vënë edhe shoku i tij, që sipas policisë ishte nën efektet e alkoolit dhe po drejtonte motorin. Autori, 25-vjeçari Darment Keli, ka mohuar të kishte qëllim ta vriste Hoxhallarin, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë ka dëshmuar shoku i viktimës, i vënë në pranga. Po ashtu, ende policia nuk ka njoftuar në lidhje me sekuestrimin e pamjeve filmike në zonë, por ngjarja është lënë, si gjithnjë tek motivet e dobëta. Keli dhe shoku i viktimës do të dalin për masë sigurimi në gjykatë, ndërsa një dëshmi e vlefshme për hetimin do të jetë edhe ajo e të fejuarës së 25-vjeçarit.

HETIMET

Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në “Astir” mbrëmjen e së shtunës, mësohet se nuk po heton vetëm pistën e vrasjes për motive të dobëta.

Burimet bëjnë me dije se po hetohen edhe shkaqe të tjera, pasi viktima ka qenë një emër i njohur për drejtësinë, ndonëse ai duket se nuk ka rezultuar të ishte fajtor apo i përfshirë në një mori ngjarjesh të ndodhura më herët.

Grupi hetimor po punon intensivisht për të mësuar nëse autori dhe viktima njiheshin më herët, apo nëse kanë pasur probleme të tjera, përveç atij momenti fatal që i mori jetën të riut.

Autori, Darment Keli ka rrëfyer dhe këmbëngulur se ka qenë ngacmimi që Hoxhallari i ka bërë të fejuarës së tij që denigroi situatën dhe ka çuar deri në ngjarjen e rëndë. “Përcolla të fejuarën për te parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon, pashë që një motor po e ndiqte dhe personi po fliste duke e ndjekur paralel makinën. I fola nga ballkoni dhe më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi fizikisht. Pas përplasjes me të, në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia, në gjaknxehtësi dhe sipër. Ka qenë sherr i momentit dhe jo i paramenduar, nuk kam pasur qëllim vrasjen e tij”, – ka dëshmuar ai ndër të tjera, duke u mbrojtur. Policia e arrestoi Kelin pak minuta pas krimit dhe sekuestroi sende të ndryshme si prova materiale, kurse çështja po ndiqet nga Prokuroria, aktualisht me akuzat “vrasja me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në njoftimin zyrtar të ditës së djeshme, Policia e Tiranës sqaron mes të tjerash, se viktima në momentin e konfliktit shoqërohej nga i ndaluari tjetër A.M., 33 vjeç, që e drejtonte motorin e tij në gjendje të dehur. Ai është ndaluar për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, kurse hetimet për krimin e rëndë mbeten ende aktive.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


U akuzua për atentatin ndaj mikut të Shullazit

Kush është 34 vjeçari i vrari me thikë në Tiranë?