Është bërë i ditur plani për vizitën e Presidentit të Republikës së Francës Emmanuel Macron, i cili më 29 dhe 30 gusht do të vizitojë Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç. Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit. Presidenti francez do të pritet nga presidenti i Serbisë rreth orës 18:00 në aeroportin Nikola Tesla, pas së cilës do të drejtohet për në Pallatin e Serbisë, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes.
Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë do të ketë një takim mes dy presidentëve dhe më pas nënshkrimi i dokumenteve dypalëshe. Dita e parë e vizitës do të mbyllet me deklaratat për media nga Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron. Ditën e dytë të vizitës, më 30 gusht, të dy presidentët do të fillojnë me një turne në Galerinë Matica Srpska në Novi Sad. Menjëherë më pas, presidentët do të drejtohen në Forumin për Rininë dhe Inteligjencën Artificiale në kompaninë InGrid – Schneider Electric LLC (Industrijska 3G, Novi Sad).
Pas kthimit nga Novi Sadi, presidentët do të marrin pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës që shënon përfundimin e punimeve për modernizimin e aeroportit Nikola Tesla. Përafërsisht, siç thuhet në njoftimin për media të Shërbimit për Bashkëpunim me Media të Vuçiç, rreth orës 15:50, Presidenti i Serbisë do të përcjellë në rrugë kolegun e tij, presidentin e Francës. Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron janë takuar së fundmi.
Kujtojmë se më 25 korrik presidenti Vuçiç u prit nga presidenti Macron në Paris, me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike të përfunduara së fundmi. Takimi u zhvillua në Pallatin Elysee dhe siç raportuan mediat proqeveritare, vetëm një rreth i ngushtë liderësh shteti mund të merrnin pjesë në këtë aktivitet.