MENU
klinika

"Në rrugën e duhur drejt BE-së"

Intervista / Tanja Fajon: Shqipëria është shembull në rajon

27.08.2024 - 14:01

“Shqipëria është në rrugën e duhur të integrimit në BE”. Mesazhi ka ardhur nga një njohëse e mirë e procesit si Tanja Fajon e cila ishte në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare si Ministre e Jashtme dhe Zëvendëskryeministre e Sllovenisë. Në një intervistë për Radiotelevizionin Shqiptar ajo theksoi se Sllovenia mbështet hapjen e kapitullit të parë të negociatave në muajin tetor.

“Ka një angazhim të madh nga ana e qeverisë. Por edhe nga të gjithë aktorët që unë takova, presidentin, kryeministrin, kryetaren e Parlamentit, dallon një angazhim të madh se vendi do të vijojë të ecë në rrugën e reformave. Po ashtu ka edhe një konsensus politik mes qeverisë dhe opozitës si edhe një mbështetje të madhe nga ana e qytetarëve. Kur ke 90% mbështetje të popullatës është më e lehtë për autoritetet të punojnë në drejtim të këtij qëllimi të përbashkët. Besoj se Shqipëria është shembull shumë i mirë në rajon”, tha Fajon për RTSH.

Sipas Fajon edhe bashkëpunimi mes dy vendeve është në nivelet më të larta dhe po punohet në realizimin e çështjeve konkrete.

“Pata një vizitë shumë të frytshme në Shqipëri. Mund të them që tradicionalisht marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe madje po forcohen më tepër. Vetëm për t’u bërë me dije, këtë vit ka patur 4 vizita të zyrtarëve të lartë sllovenë në Shqipëri. Po punojmë në marrëveshjen për turizmin dhe po ashtu në heqjen e barrierave për studentët dhe duam të përmirësojmë edhe bashkëpunimin ekonomik. Jemi vende me të njëjtin qëndrim për shumë çështje. Ne e ndoqëm Shqipërinë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, pra po, kemi mirëkuptim të plotë”, u shpreh ajo.

Tanja Fajon ishte në një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga homologu Igli Hasani, por edhe nga krerët më të lartë të shtetit.

Intervista e plotë

Së pari si do ti përcaktonit marrëdhëniet Slloveni-Shqipëri?

Pata një vizitë shumë të frytshme në Shqipëri. Vizita e parë zyrtare në detyrën e zëvendëskryeministres dhe ministres së jashtme të Sllovenisë. Mund të them që tradicionalisht marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe madje po forcohen më tepër. Vetëm për t’u bërë me dije, këtë vit ka patur 4 vizita të zyrtarëve të lartë sllovenë në Shqipëri. Po punojmë në marrëveshjen për turizmin dhe po ashtu në heqjen e barrierave për studentët dhe duam të përmirësojmë edhe bashkëpunimin ekonomik. Jemi vende me të njëjtin qëndrim për shumë çështje. Ne e ndoqëm Shqipërinë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, pra po, kemi mirëkuptim të plotë.

A do të duhej të ishin në Ballkan të njëjtat marrëdhënie, kaq vjet pas luftërave?

Jam dakord me ju që duhet një pajtim i madh në Ballkan, po ashtu na duhet një rajon i fortë, një rajon i konsoliduar, na duhet një bashkim europian i zgjeruar dhe i fortë i bashkuar me Ballkanin Perëndimor. Siç e dini unë jam një promovuese e fortë e zgjerimit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, Sllovenia është një mike e madhe e zgjerimit dhe e Shqipërisë. Unë mund t’ju përgëzoj mbi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, por edhe për rolin në marrëdhëniet rajonale. Unë mendoj se kemi nevojë për njëri tjetrin, edhe për shkak të asaj që po ndodh në aspektin gjeopolitik, rreth nesh. Për këtë shkak inkurajoj Shqipërinë të vijojë me reformat, që të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes Europiane.

Nuk ndodh kështu në fakt, sidomos mes Serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, çfarë duhet të ndodhë që të marrë fund kjo situatë?

Ne kemi nevojë që procesi të normalizohet, të normalizohen marrëdhëniet dhe dialogu i lehtësuar nga Brukseli. Por kemi një vit të vështirë me zgjedhje në institucionet europiane, me ndryshime të drejtuesve në institucionet europiane, por kam përshtypjen që ka një vëmendje të shtuar të qeverive europiane në lidhje me nevojën e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Prandaj na duhet mençuria dhe kuraja e qeverive në rajon që të punojnë për këtë qëllim, për ta përdorur këtë moment gjeostrategjik. Për sa i përket Kosovës dhe Serbisë po, ne mbështesim vazhdimin e dialogut, është i rëndësishëm. Por ne kemi nevojë edhe për politika të mençura dhe të moderuara në rajon. Siç e thashë dhe më parë , kemi nevojë për njeri-tjetrin, sidomos për shkak të brezave të rinj. Ajo që po përjetojmë në rajon të gjithë është një tharje e trurit, një largim i të rinjve për shkak të mungesës së vizionit për të ardhmen, pra është një përgjegjësi e përbashkët.

Shpesh flitet për një integrim në bllok të Ballkanit Perëndimor në BE, a do ti jepte fund kjo përplasjeve etnike?

Jam e qartë se ka argument pro diçkaje të tillë, por unë besoj se shpejtësia apo niveli i realizimit të reformave të kërkuara është i ndryshëm në vende të ndryshme. Ne duhet të punojmë bazuar te meritat e gjithsecilit, kështu funksionon procesi. Shqipëria është në rrugën e duhur. Unë shpresoj dhe Sllovenia mbështet hapjen e kapitullit të parë të negociatave me shumë shpresë këtë tetor, në konferencën e dytë ndërqeveritare Shqipëri Bashkimi Europian. Kjo do t’i jepte një shtysë shumë të mirë procesit të reformave. Po ashtu edhe agjenda e reformave prezantuar nga qeveria juaj në Bruksel do të marrë vlerësimin e Komisionit Europian në Shtator, dhe nëse ky vlerësim është pozitiv, siç shpresoj, do të ketë një mbështetje paraprake financiare për reformat por edhe një integrim gradual në tregun e përbashkët. Të gjitha këto janë zhvillime shumë të mira në Shqipëri. Shqipëria po ecën mirë dhe duhet të vijojë më zbatimin e këtyre reformave të nevojshme.

Kur mund të ndodhë integrimi i plotë në BE i Ballkanit?

E ripërsëris se sot ndodhemi në një moment gjeostrategjik, sepse me agresionin rus në Ukrainë, me luftën atje, ka një ndërgjegjësim më të madh se na duhet një Evropë më e fortë dhe më e bashkuar nëpërmjet zgjerimit. Për këtë arsye po diskutojmë gjithnjë e më shumë një zgjerim me vendet e Ballkanit perëndimor, i kemi ringjallur diskutimet e zgjerimit.2030 është sjellë në vëmendje nga Charl Mishel në samitin e Bledit, një premtim i tij atje. Besoj se është një datë realiste, për shumë arsye. Nga njëra anë Unioni Europian duhet të jetë gati për 2030-ën dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Nga ana tjetër ato vende të Ballkanit Perëndimor, apo Ukraina, Moldavia ose Gjeorgjia, që do të jenë gati, mund ta bëjnë këtë hap domethënës. Por e ritheksoj, momenti është dhe vendet duhet ta shfrytëzojnë.

A është gati Shqipëria sipas jush për t’u anëtarësuar në BE?

Ka një angazhim të madh nga ana e qeverisë. Por edhe nga të gjithë aktorët që unë takova presidentin, kryeministrin, kryetaren e Parlamentit, dallon një angazhim të madh se vendi do të vijojë të ecë në rrugën e reformave. Po ashtu ka edhe një konsensus politik mes qeverisë dhe opozitës si edhe një mbështetje të madhe nga ana e qytetarëve. Kur ke 90% mbështetje të popullatës është më e lehtë për autoritetet të punojnë në drejtim të këtij qëllimi të përbashkët. Besoj se Shqipëria është shembull shumë i mirë në rajon.

I kemi përmbushur kriteret, se ju e keni shoqëruar procesin tonë ndër vite, jemi tashmë gati?

Nëse lexon raportet e Komisionit Europian apo vlerësimet që ju thashë më lart. Do të gjesh përherë copëza kritikash, se gjithnjë duhet bërë më shumë në fushën e administratës publike apo në reformën në drejtësi, apo në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj. Patjetër që ka përpjekje dhe ka progres, por në fund të ditës Komisioni bën vlerësimin, ajo që mund të them unë është se Sllovenia mbështet çeljen e kapitullit të parë në muajin tetor, në konferencën e dytë ndërqeveritare. Kjo do të thotë që keni bërë progres.

Por a është gati BE për të pritur Ballkanin dhe Shqipërinë?

Mos prisni që të flas në emër të vendeve të tjera të Bashkimit Europian, di që ka një çështje të hapur me Greqinë dhe Qipron, shpresoj që të zgjidhet shpejt, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën Evropiane.

Problemet e brendshme të BE shtohen nuk po pakësohen, do të ndikojë kjo?

Nuk duhet të kërkoni të gjeni shkaqe apo arsye te mungesa e vullnetit për zgjerim nga ana e vendeve të BE.Ka një vëmendje të shtuar dhe një sensibilizim më të madh nga ana e qeverive të vendeve të BE se zgjerimi është i nevojshëm për arsyet gjeopolitike që përmenda, por edhe sepse duam të shohim një Europe më të fortë nëpërmjet zgjerimit.Dhe sepse kemi nevojë për njëri tjetrin,më shumë se kurrë më parë.Prandaj them se nëse besojmë tek kjo gjë dhe kur angazhimi është aty atëhere mendoj se rezultatet janë të arritshme.

Një mesazh për shqiptarët?

Te Sllovenia keni një mik të mirë, mund të mbështeteni të ndihma jonë, si për rrugën europiane por po ashtu edhe në marrëdhëniet dypalëshe. Ajo që më bën të lumtur është se bashkëpunojmë për studentët ,për të rinjtë, për tu dhënë atyre një perspektivë konkrete si me Kolegjin e Evropës por po ashtu edhe me heqjen e barrierave për studentët si këtu ashtu dhe në Slloveni, pra po hidhen hapa për të inkurajuar brezin e ri që të studiojë, të shkëmbejë përvoja dhe të ketë një të ardhme. RTSH 24

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN