Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka reaguar lidhur me transportin e mbetjeve të rrezikshme që u nis nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës. Pas mbledhjes së qeverisë Balluku u shpreh se Porti i Durrësit nuk ka lidhje me këtë proces, pasi importi i mbetjeve të rrezikshme bëhet dhe kontrollohet nga koncesionari evropian në Portin e Durrësit sipas standardeve dhe kodeve të vendosura nga BE.
Balluku theksoi se ato janë dy entitete të ndryshme dhe se Autoriteti Portual i Durrësit nuk duhet të përfshihet në këtë çështje.
Zv.kryeminsitrja tha se çështja po hetohet, ndërsa kërkoi që të priten vendimet e përfundimit të hetimeve në mënyrë që kjo çështje e ngarruar procedurale dhe juridike të mos kthehet në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare duke ndikuar në imazhin e Shqipërisë.
“Kjo është një çështje delikate që ka marrë dhe përmasa ndërkombëtare. Do i bëja thirrje medias që të tregohen të kujdesshëm teksa analizojnë këtë çështje pasi përveç delikate është dhe shumë e komplikuar nga ana juridike dhe procedurale. Të gjitha analizat afektojnë imazhin e Shqipërisë dhe duhet të presim vendimet për të gjitha proceset hetuese që kanë nisur për këtë çështje të rëndësishme mjedisore, por edhe prek imazhin e vendit. Kjo çështje ka marrë emërtimin Porti i Durrësit dhe ajo e mbetjeve të rrezikshme janë dy gjëra të ndryshme. Eksporti apo transiti i mbetjeve të rrezikshme ka nisur që në 1998 dhe ka një protokoll të mirëfilltë për të cilin ministria e mjedisit ia ka bërë të ditur mediave. Këto procese janë të koduara sipas kodeve evropiane të transportit të këtyre mbetjeve. Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka asnjë lidhje me këtë proces, pasi janë procesuar nga një koncensionar evropian që operon në Portin e Durrësit. Raportet mes këtij koncesionari dhe Portit të Durrësit janë dy entitete të ndryshme konkurrente”, tha Balluku.
Balluku kërkoi që çështja t’i lihet drejtësisë dhe të mos kthehet në çështje ndërkombëtare duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë.
“Qeveria është angazhuar në bashkëpunim me OLAF që në ditën e parë lidhur me investigimet dhe t’i jepet koha e duhur drejtësisë dhe të mos kthejmë një çështje kaq procedurale në një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare që nuk bën gjë tjetër vetëm sa goditet imazhi i Shqipërisë sidomos në këtë sezon turistik”, tha ajo.