MENU
klinika

Ç’pritet më 8 shtator?!

PS e nis vjeshtën me vendime të rëndësishme! Dy lëvizjet e Ramës

28.08.2024 - 17:46

Shtatori, për socialistët, do të nisë me llogaridhënie si brenda qeverisë ashtu edhe partisë. A2 CNN ka mësuar se me 8 shtator Edi Rama do të mbledhë në Durrës Asamblenë e re që doli nga kongresi i 28 korrikut.

Pas “djersëve të ftohta” qeveritare me ndryshimet e fundit, tashmë radha për të përjetuar ankthin e vendimeve të kryesocialisti, ka kaluar tek anëtarët e kupolës drejtues të partisë, përfshirë sekretariatin.

Asambleja ka detyrën të zgjedhë kryesinë e re të PS, anëtarët e të cilës pritet të jenë edhe të dërguarit politik në 12 qarqe. Me ndryshimet partiake, PS do të nisë punën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndaj përzgjedhja e njerëzve që do të marrin përsipër drejtimin e fushatave në terren, bashkë me përpilimin e ekipeve dhe kandidatëve, merr më shumë rëndësi në kontekstin e përballjes me kundërshtarin politik.

Para se Rama të japë verdiktin për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në selinë rozë, Kryeministri do të zhvillojë më parë analizën e kabinetit qeveritar për çdo dikaster të dielën e 1 shtatorit në vilën qeveritare në Dajt, raporton A2.

Socialistët janë të detyruar të ndryshojnë formatin e analizës së tyre, duke e kthyer në një takim vetëm 1 ditor që nis në orën 9 të mëngjesit për të përfunduar në orët e para të mbrëmjes, me një pjesëmarrje më të ngushtë, kryesisht të kabinetit qeveritar, por pa përjashtuar përfaqësuesit e rëndësishëm politik të PS si në parti ashtu edhe në Parlament.

Këtë vit axhenda ndërkombëtare e Kryeministrit Rama duket se i ka komplikuar disi planet duke ndryshuar disa herë datën dhe vendin takimit. Kjo sepse më 30 dhe 31 gusht Rama është ftuar të marrë pjesë në forumin Globsec të Pragës, siç njoftohet nga vetë organizatorët e këtij takimi në republikën Çeke, shkruan A2.

Pasi Edi Rama të përfundojë retreat dhe të mbyllë të gjitha çështjet e hapura në parti, Kryeministri do të udhëtojë drejt SHBA, për të marrë pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, pasi këtë vit në radhë është shefi i qeverisë, jo Presidenti i Republikës.