Dje janë mbyllur objektet e institucioneve paralele lokale në veri të vendit. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas operacionit të Policisë së Kosovës, ka treguar se sa institucione ilegale janë mbyllur. Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi sqaroi se bëhet fjalë për mbylljen e disa institucioneve paralele që ishin me direktiva të Serbisë. Krasniqi tha se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit. Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash. Krasniqi është zotuar se institucionet e Kosovës do t’iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallime përfshirë edhe atyre serb. “Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë.
Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”. “Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka deklaruar tutje se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. “Albin Kurti ka filluar të mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviç.