MENU
klinika

Radhë të gjata në Rrugën e Kombit

Shtatori nis me fluks të lartë automjetesh nga Kosova

01.09.2024 - 16:28

Shtatori ka nisur me një fluks të lartë automjetesh nga Kosova drejt Shqipërisë në rrugën e Kombit.

Edhe këtë fundjavë bregdeti ka qenë zgjedhja e shumë qytetarëve nga Kosova për t’u freskuar, ndërsa temperaturat vijojnë të jenë të larta.

Siç shihet në këto pamje gjatë paradites te se dielës në rrugën e Kombit janë shënuar radhë të gjata automjetesh. Fluksi i lartë ka rënduar më së shumti trafikun pranë rreth rrotullimit në Fushë Milot, në krahun verior në drejtim të Lezhës.

Ndërsa në pjesën tjetër të autostradës, qarkullimi i automjeteve ka vijuar normalisht dhe tërësisht i lirshëm, fale dhe hapjes se rrugës së re Thumane- Kashar, në fillim të këtij sezoni turistik.

Gjatë fundjavës policia rrugore operon me kapacitete të shtuara për të monitoruar trafikun që shkaktohet.

Bregdeti i Shqipërisë është gjithnjë zgjedhja e parë e shqiptarëve të Kosovës për të kaluar pushimet, ndërsa gjatë fundjavës flukset shtohen nga pushuesit ditorë, të cilët preferojnë më së shumti Durrësin, Shëngjinin dhe Velipojën.