Ky është viktima i përplasjes me armë mes dy familjeve Sekiraqa dhe Capat, të njohura si grupe që janë në konflikt prej kohësh me njëra-tjerën. Viktima është identifikuar si Premtim Gashi, i cili nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra nga të shtënat me armë në mes të rrugës në Prishtinë, ku u plagosën edhe 5 persona të tjerë. Poshtë trupit të viktimës u gjet kallashnikovi që ai përdori gjatë përplasjes me armë.
I riu raportohet se kishte dalë pak ditë më parë nga burgu. Konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqa ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë, të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh. Gjatë përplasjes me armë nga familja Sekiraqa, mbeti i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, 47-vjeçar. Bashkë me Sekiraqën, u plagosën edhe Korab Gashi (vëllai i viktimës), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar).