Në Amerikë, në mesin e një fushate elektorale të helmuar mes Trump dhe Harris, ka një debat në dukje absurd që lidhet me përmasat e mitingjeve të secilit kandidat. Donald Trump ka maninë që të deklarojë pafund se organizon mitingjet më të mëdha. Aq sa edhe ish-presidenti Obama bëri gjestin tashmë të famshëm të duarve për mitingjet e “Kaligulës bjond”, siç e quajnë me qesëndi Donald Trump.
Në Shqipëri, në tjetër kontekst dhe të tjera rrethana, debatohet gjithashtu për shifra, për të tjera përmasa. Të cilat lidhet me dimensionet reale të sezonit turistik veror që po lemë pas, e që edhe këtë verë solli një masë të madhe pushuesish të huaj në plazhet, malet e qytetet tona.
Përpjekja për të gjetur përmasat reale të këtij sezoni në funksion të numrit të turistëve të huaj që ai solli në Shqipëri dhe milionave që prodhoi, është një shtysë e natyrshme por s’ka pse të jetë një betejë “për jetë a vdekje” shifrash mes politikës, medias dhe opinionit publik.
Shqiptarët sot jetojnë praktikisht të ndarë mes qëndrimit permanent në Shqipëri apo emigracionit. Që nga fillim-vitet ’90 kemi një masë të madhe bashkatdhetarësh që jetojnë në të katër anët e botës, të cilët kanë tashmë pasardhës dhe që janë bashkarisht të paisur, në një pjesë të konsiderueshme, me pasaporta e dokumenta rezidence në vendet ku jetojnë.
Në këtë aspekt, të kërkosh të bësh dallimin mes një turisti, në kuptimin e vërtetë të termit dhe fjala vjen një shqiptari që vjen të shohë ata që i kanë mbetur gjallë nga familja dhe farefisi, është një gjë sa komplekse aq edhe panevojshme.
Shqipëria e ka tejkaluar kompleksin e shifrave në turizëm. Vendi është hapur realisht ndaj botës. Që prej daljes nga pandemia, kemi mirëpritur miliona turistë që sot e shkelin territorin e ketij vendi edhe më fort dhe në mënyrë kapilare se një banor i Tiranës, Shkodrës apo Elbasanit. Mediat njoftuan këto ditë se edhe në Fushë Arrëzin e largët kishin zbritur turistë të huaj, për të shijuar freskun dhe ajrin e pastër. Një destinacion ky që shumëkujt nga ne shqiptarët nuk i thotë asgjë në aspektin turistik.
Kemi tejkaluar sindromën e izolimit pasi i kemi kthyer shtëpitë në një galaktikë dhomash me qera në të gjithë territorin, duke konvertuar ekonominë, rritur të ardhurat dhe më e rëndësishme akoma, duke hapur dyert për njerëz që deri dje nuk e dinim se mund të shkelnin ndonjë ditë në lagjet, mahallat e pallatet tona. Shqipëria është kthyer në një fjetinë gjigande turistike dhe kjo gjë, pasi ke zbritur të gjitha defektet, anët negative dhe minuset e imagjinueshme, është vëçse një histori suksesi. Asgjë tjetër! Mjafton të shohësh Rinasin!
Sfida aktuale dhe e vërtetë e turizmit shqiptar, pas këtij sezoni të nxehtë e të rrëmujshëm, është ngrejë standartin pa u kompleksuar nga numrat. Sepse një vend i papërgatitur për standartin turistik është i destinuar ta humbasë edhe sfidën me numrat e turistëve. Na duhet më shumë shërbim profesional, ujë i pijshëm, rrugë të shtruara e të afta të përballin qindra mijë turistë, ushqim i kontrolluar e cilësor, transport i shpejtë dhe i disponueshëm për të shpërndarë shpejt e në mënyrë komode turmat e mëdha të turistëëve që zbresin në Rinas, Durrës apo që hyjnë nga pikat tokësore.
Na duhet më në fund dhe mbi të gjitha të kuptojmë çfarë do të bëjë turizmi shqiptar “kur të rritet”. Me fjalë të tjera, do të vijojmë të shohim ëndrra me turizëm ekskluzivisht elitar, apo do t’i bëjmë yzmetin diçkaje më reale, më të afërt dhe më të prekshme: turistin e zakonshëm rajonal dhe evropian.
Ka pasur shumë debate mbi çmimet këtë verë. Pakkush ka folur sa duhet për faktorin bazë që e provokoi këtë rritje: iluzionin se turizmi elitar po bëhej gati të zbarkonte me jahte, varka me vela e limuzina të mbushura me pasunarë e milionerë, që do të mbushnin baret, restorantet dhe hotelet e tona. Madje edhe zgëqet e provincave do të hapnin dyert e do të beheshin gati të lageshin nën shiun jeshil të valutës që do të binte me magji si në përrallën e famshme të Shllafarit.
Sa pjata me makarona nga ato më të zakonshmet, fjala vjen, u shitën sikur të ishin të mbushura me havjar e aragosta në Vlorë e Sarandë, pas shpërthimit të fabulës milionere të investimit gjigand të familjes Trump në Sazan?! Sa çmime lëvizën për lart teksa dëgjoheshin qysh në pranverë parashikime rozë të tejfryra për dallgën e madhe të turizmit që po vinte?! Rezultati: turizmi shqiptar, kryesisht në Jug, rriti thuajse kudo çmimet dhe vlonjatët gati sa nuk ju dhanë fantazisë, duke parë me sytë e mendjes jahtet e vilat e Ivankës që zbardhnin nga larg nëpër monopatet gjithë shkurre të Sazanit, ndërkohë që aty s’ka ende asnjë lopatë dhe të hedhur në emër të të shoqit Xheret Kushner?!
Iluzionet nuk janë kurrë një këshilltar afatgjatë. Para Trumpit, na mbetet të sjellim ujin 24 orë në bregun e Jonit, Durrës e Shëngjin. Na mbetet të pastrojmë plehrat që vijojnë të gjallojnë cepave të rrugëve, në rrjedhat e lumenjve e përrenjve, apo nëpër kazanat e mbeturinave nëpër qytete, plazhe dhe qendra turistike. Gjithçka nis dhe mbaron tek pastërtia, ky është leksioni primar i vendeve të zhvilluara.
Na mbetet më pas të trajnojmë mirë stafet e kamarierëve, kuzhinjerëve e ushtritë e pastruseve, në mënyrë që turistët kosovarë, italianë, gjermanë e spanjollë të mos hedhin komente të sterrosura në faqet online të hoteleve tona, çka mund ta paguajmë shtrenjtë verën që vjen. Mbetet pra të bëhet edhe më mirë ajo që duhej të ishte bërë vitin e shkuar dhe që nevojitet edhe për vitin e ardhshëm.
Turizmi është një në thelb një aktivitet, i cili nëse përdoret sa dhe si duhet, do të sjellë përsosjen graduale të vendit në të gjitha aspektet, do të shëndoshë ekonominë dhe lehtësojë krizën. Me kalimin e kohës do të mbajë në shtëpi ose do të shtyjë të kthehen edhe shumë shqiptarë që vijojnë të mendojnë se ky vend nuk bëhet e që ikin nga sytë këmbët. E që të ndodhë kjo na duhet të jemi realistë për atë që i ofrojmë të huajve që vijnë të harxhojnë këtu paratë e tyre, e që për këtë arsye nuk të bëjnë fare skonto kur nuk ju pëlqen diçka. Jemi nën një lupë gjigande vrojtimi si kurrë më parë, këtu në vendin tonë dikur të panjohur e sot të kthyer në destinacion turistik ndërkombëtar. Le të mos rrëzohemi në këtë provim vetëm pse na është mbushur mendja që t’i nxjerrim për tre muaj paratë e investuara të restorantit apo hotelit.