MENU
klinika

Nga Eda Preka

Profil/ Ana Baba, gruaja ortodokse që jeton për të njohur krijuesin: Njeriu do të sfidohet në këtë jetë me…

29.08.2024 - 12:14

Misioni i saj në këtë jetë është të njoh krijuesin, me këto fjalë prezantohet Ana Baba që prej 22-vitesh i shërben kishës ortodokse.

Sipas saj një ortodoks i vërtetë është ai që lutet pa pushim.

Mëngjesi i saj si një besimtare nis duke falënderuar, kërkuar dhe lavdëruar krijuesin për bekimin e ditës.

Me një kryq modest të varur në qafë dhe pa kurrfarë simbolike tjetër, Ana tregon se sot ajo punon në administratën e kishës ortodokse ku jep mësim për brezin e ri.

Për Anën dëshira për tu përkushtuar ndaj zotit nuk lindi nga hiçi.

E lindur në vitin 1976 në Sheqishtë të Fierit një fshat i rrethuar nga kishat u mësua ta adhuronte zotin që në moshë të vogël.

Babai i saj me origjinë nga Korça i rrënjosi në zemër besimin ortodoks.

Ajo tregon se gjatë fëmijërisë shpesh luteshin dhe ndiznin qirinj edhe pa e ditur mirë kuptimin e fesë.

“E dija se ishim familje ortodokse por nuk e njihja shumë mirë besimin.”

Ana të habit kur thotë që fatkeqësisht nuk e ka jetuar 97’ pasi ju dha mundësia të largohej në Greqi.

“Në 97’ fatkeqësisht nuk kam qenë në Shqipëri. Them fatkeqësisht sepse nga një anë do doja ta kisha jetuar atë sfidë që kaloi populli jonë. Mua mu dha mundësia që të shkoja në Greqi. Atje studiova muzikë, pasi kisha shumë dëshirë këngët që këndojmë ne në kishën ortodokse.”

Ndonëse e thotë më krenari që familja e saj është ortodokse nga ana tjetër 48-vjeçarja tregon se nuk e praktikonin dhe nuk e ushtronin fenë e tyre.

E ardhur në jetë nga dy punëtorë të ndershëm ajo dhe 6 fëmijë e tjerë të familjes Baba u rritën me frikën e të përmendurit fjalën zot jashtë mureve të shtëpisë.

Ana nuk është e vetmja natarë e familjes që i ka dedikuar jetën zotit. Vëllai i saj fëmija i 3-të i familjes ishte i pari që solli frymën e të praktikuarit të fes ortodokse në këtë familje.

Pasi kishte mbaruar shkollën për agronomi vëllai i saj studioj teologjinë ortodokse në Durrës.

Sot tregon me doza humori se kur ka dëgjuar për herë të parë lutjen “Ati ynë që je në qiell” i vinte habi dhe e  quante shkrimin e shenjtë poezi që çuditërisht i ka shpëtuar pa lexuar.

Fillimisht ishin tregimet e vëllait të saj që e shtyn Anën drejt besimit dhe përkushtimit.

Nga mos dija ajo ishte gjithmonë në kërkim të vetes dhe motivit për të jetuar.

Ndaj përveç vëllait Ana gjithashtu në vitin 1999 vendos të studioj teologjinë ortodokse.

Këto studime i kreu në një periudhë 3-vjeçare ku u thellua në lutje dhe mësoi për fenë ortodokse.

“Kam studiuar me zell shumë të madh doja të mësoja sa më shumë, ndonjëherë nuk më mjaftonte. Isha gjithmonë duke kërkuar që të njoh krijuesin misioni im në këtë jetë është të jetoj për të njohur zotin. Qëllimi im që shpresoj ta arrij është ta njoh. Kam arritur shumë gjëra në jetë që i kam shijuar shumë por gjëja që dëshiroj më shumë është të njihem me zotin.”

Fazat jetësore si arsimimi, punësimi, martesa për Anën janë asgjë nëse para tyre nuk qëndron besimi.

“Kur të kalosh nga dera e kësaj bote në derën e botës tjetër do takohesh me krijuesin. Nëse ti nuk ke arritur ta njohësh gjatë jetës tënde nuk do të arrish dot ta njohësh as atje. Kisha të mëson se kjo jetë nuk është kaq sa duket. Do sfidohesh në jetë, do jesh gjithë kohës duke bërë shkollë, duke punuar do sakrifikosh për ndërtimin e një familje të shëndetshme. Të gjitha këto kanë vetëm një qëllim në fund, ndaj nuk mund të “ngopesh” duke njohur Krishtin”

Sipas Anës ne jetojmë në një botë ku ka humbur motivi për të jetuar. Ajo ndihet e ofenduar dhe e rrethuar me njerëz mëkatar kur kujton lojërat olimpike ku në qendër të botës fyhet figura e Krishtit.

Këtë botë e bëjnë më të mirë njerëzit besimtar këmbëngul ajo nëse je besimtar mëson të duash, duke ditur si të duash nuk mund të bësh keq.

“Dua që një nga djemtë e mi të bëhet prift”- është ky amaneti i fundit që babai i saj la kur ndërroi jetë.

Fjali më se e mjaftueshme për të kuptuar besimin e madh që kjo familje kultivon në zemrat e tyre.

Edhe pse vet ka zgjedhur të mos martohet Ana shprehet se kriteri i parë që do të shikonte tek partneri i saj është besimi.

“Në dashuri nuk bie për një çast, pika kryesore është të shikosh nëse ti dhe partneri ecni në të njëjtën rrugë pasi nëse parimet janë të ndryshme rruga drejt lumturisë është e vështirë. Njeriu do të sfidohet në këtë jetë me pasuri, me jetë jashtë shtetit, me luks por kurrë nuk duhet bërë kompromis me gjërat që ti i ke esenciale në jetë. Janë disa gjëra që ti mund ti tolerosh por parimet asnjëherë.”

Prej 22-vitesh Ana shpesh është ndjerë e paragjykuar pasi njerëzit e quajnë introverte duke qenë se ajo i kushton më shumë rëndësi botës së brendshme dhe zotit.

Ana pohon se kurrë nuk e ka frekuentuar jetën e natës por nga ana tjetër thotë që kisha nuk të ndalon të bësh asgjë. Të lë të lirë, është njeriu ai që zgjedh nëse do ti ndjek parimet apo jo.

Ana Baba nuk kishte thirrje, vegime apo mesazhe nëpër ëndrra ajo shprehet se përgjigjet ekzistenciale i gjeti tek feja ortodokse ndaj nuk rreshti kurrë së besuari dhe praktikuari.

“Unë nuk i besoj shumë lehtë, edhe sikur të me dilte në ëndërr zor se do e besoja pa e faktuar siç dua unë”

Kur flet për manastirin i shëndrisin sytë mendon se është jeta ideale për një besimtare, ti kushtohesh lutjes leximit dhe shërbimit. Sa më shumë pyetje të kesh aq më mirë është sepse kur kërkon gjen dhe qartësohesh shprehet 48-vjeçarja Ana Baba.

Ajo ka punuar shumë më të rinjtë në kampet ortodokse në qytetin e Elbasanit dhe shprehet se shpesh familjet i ndalonin fëmijët e tyre të kishin kontakt me fenë.

“Perëndia e ndryshon shumë njeriun, ne duhet të ndryshojmë konceptin që kemi për besimin ne jemi popull që jemi mësuar ta ushtrojmë diçka nga frika por besimi nuk është frikë është dashuri”

Feja I hapi rrugë të reja dhe e shtyu të rritej edhe profesionalisht. Para 12 vitesh në vitin 2012 Ana nisi paralelisht me shërbimin në kishë edhe shkollën e lartë për “Gjuhë letërsi”.

“Zoti më ka udhëhequr ndaj ndihem shumë e plotësuar unë nuk studiova teologjinë për ti shërbyer kishës, e bëra sepse doja të dija kush është zoti doja të njihesha me krijuesin tim unë nuk lodhem kurrë së lexuari dhe studiuari. Gjuhë letërsinë dhe masterin për mësuesi e bëra sepse dua të perfeksionohem.

Ana e sheh fenë si përgjigjen e çdo pyetje dhe shoshitjen e çdo brenge shpirtërore.

“Asnjeri nuk ka ardhur vet në këtë botë çdo njeri e solli zoti. Krijuesi ka vend në zemrën tonë. Misioni jonë është ta gjejmë atë hapësirën e atëherë mozaiku i jetës tonë do të plotësohet.”

Prej 22 vitesh duke jetuar dhe praktikuar besimin Ana shprehet se e njeh fenë ortodokse vetëm 30% dhe habitet se si disa njerëz jetojnë pa besimin në zemër.

Ana do ti tregoj botës për vlerat që sjell besimi, vlera antropologjike që nuk i sjell as politika as shkenca ndaj njeriu duhet të mësoj të jetë njeri sipas saj.

Horizonti i saj nuk ndalet vetëm tek librat e kishës, Ana të flet edhe për filozofin e letërsinë të cilat e ndihmuan atë ti jap përgjigjet e “Pse-ve” që i lindin çdo njeriu.

Ajo e mbështet besimin e saj tek Dostojevski (Fyodor Dostoevsky) kur citon se po të heqësh besimin çdo gjë është e lejuar dhe njeriu nuk ka më kufij apo tek Aristoteli kur thotë që njeriu pa zot bëhet jo kafshë por bishë.

Me këtë fjalë Ana përpiqet të të hap sytë dhe të të qartësoj për rëndësinë e besimit dhe vlerave që sjell ai.

“Njeriu është krijesa më e bukur që zoti ka krijuar asnjë krijesë tjetër ai nuk e veshi me liri dhe me arsyeje siç bëri me njeriun. Njerëzit sot kënaqen me krijesa si qeni apo macja por imagjino sa do të kënaqeshim ne më njëri-tjetrin po të mos largohemi nga zoti”

Luftërat mes njerëzve Ana i shikon si një largim i madh nga krijuesi dhe shpesh në emër të modernitetit vlera parësore të njeriut humbasin.

Një njeri si Ana Baba është pasqyrë e kërkimit të së vërtetës. Gjetja e vërtetësi në besimin ortodoks nuk e bën atë të pavdekshme por ndryshe nga shumë njerëz ajo është e qartë se për çfarë lindi dhe erdhi në këtë botë.

Misioni i saj është të njoh krijuesin e saj dhe ti kushtoj atij jetën, gjë që sipas saj nuk ka sprovë dhe asnjeri që mund ta pengojë.

“Kur e shikon botën siç e shikon Krishti ajo është shumë e bukur“.