Prej 28 vitesh, Kisha është shtëpia e Teuta Bukës.
Me kryqin e varur në qafë, me flokët shumë pak të zbuluara, e përulur ndaj altarit të shenjtë zëri i saj kumbon nëpër cepat e katedrales.
Që nga mosha 24-vjeçare mëngjesi i së dielës e gjen motër Teutën duke shërbyer në kishë.
Me zotin atë e lidh çdo gjë, madje edhe kur e pyet për sfidat e përditshme, meraku i saj i vetëm është a ka shpenzuar kohën e duhur për lutje.
“Sfida ne kemi plot si të gjithë njerëzit, ajo për të cilën unë dëshiroj të kujdesem gjithmonë, pa e anashkaluar kurrë, është që ti lë Zotit kohën që i takon atij pra lutja e vërtetë. Po edhe kur bëjmë një aktivitet tjetër gjithmonë mendja shkon tek Zoti, me lutje, pasi bashkimi me Zotin është gjithmonë një rrugë më e sigurtë.
E lindur nga dy prindër shkodranë, Teuta tregon se familja e saj ishte e persekutuar.
Historia tregon se familjet e persekutuar gjithmonë kanë qenë të lidhura ngushtë me besimin.
I tillë është edhe rasti i motër Teutës e cila tregon se që në vegjëli ajo u mësua të besojë e të jetë një e krishterë. Ndonëse të detyruar të luteshin fshehurazi, në familjen e saj kurrë nuk ka munguar lutja me rruzaren e shenjtë në duar.
Jo vetëm se mban emrin e një mbretëreshe, por e tillë ishte edhe në shtëpinë e saj, pasi është fëmija i fundit i familjes Buka.
Teuta dhe dy motrat e saj më të mëdha e kanë pasur të vështirë shkollimin duke qenë se ishin vajzat e një anti-komunisti me zanat murator dhe një mësueseje familja e së cilës ishte gjithashtu e prekur politikisht.
“Fakti që ishim të prekur politikisht na bënte të përpiqeshim shumë në shkollë. Babai im na mësonte se e gjitha kjo ishte urrejtje e pushtetit ndaj besimtarëve të krishterë katolik. Ne kënaqeshim për njohuritë që merrnim dhe nuk na shqetësonte aspak nota. Nganjëherë ishte e vështirë e nuk merrnim pjesë në aktivitete, konkurse apo gjera të tilla, pasi e dinim se nuk do të llogariteshim njësoj me të tjerët”-shprehet Teuta
Ditëlindjet për Teutën festoheshin thjeshtë, ndonjëherë edhe më një fletore apo laps të ri.
Bollëku në tryezë, gatimet e mira dhe të shijshme servireshin vetëm për festat e kalendarit liturgjik të cilat familja Buka i kremtonte në fshehtësi.
“Nuk e përjetoja si diçka të rëndë faktin që ishim të persekutuar. Më jepte forcë dhe bindje se ajo çfarë ne besojmë është diçka shumë e madhe.”
Në një kohë ku me rëndësi ishte të mbijetoje, ndryshe nga dy motrat e saj Teutës i jepet mundësia të studiojë. Në vitin 89’-90’ ajo fillon të studiojë për matematikë në Tiranë.
E bindur në rrugën që kishte nisur Teuta jetonte e lumtur mes botës së numrave dhe formulave.
Trazirat e kohës, e bënë të vështirë vazhdimin me rregull te shkollës për motër Teutën
“Unë isha adoleshente, ndryshe nga motrat e mija që kishin parë dhe përjetuar më shumë se unë mua mu dha mundësia që të studioja.
Ishte viti 89 unë fillova shkollën e lartë për matematikë. Nuk arrita dot ta mbaroj ishte koha e trazirave po ndodhnin ndryshime të mëdha në sistemin tonë. Unë isha larg familjes e për më tepër vajzë ndaj u bë e vështirë frekuentimi i shkollës.
Por tuneli ku ajo po kalonte kishte një dritë jeshile në fund.
4 nëntori i vitit 1990 do të ishte çelja e një dritareje të re për Teutën.
Kur sapo ishin hapur kishat të cilat deri aso kohe ishin kthyer në palestra dhe teatër nga komunistët, ndodh shkëndija e parë për motër Teutën.
Teksa ndodhej rastësisht në zonën e quajtur “Varrezat e Rrmajit” ajo merr pjesë në Meshën e shenjtë, e para Meshë kur akoma regjimi ishte në fuqi.
“Unë vija nga një familje e krishterë dhe isha mësuar të lutesha dhe ta doja zotin. Pjesëmarrja në atë Meshë na tregoi se kishte filluar një erë lirie dhe më hapi një horizont të ri në zemrën time.”
Edhe gjatë regjimit Teuta rrëfen se çdo të diele “Radio Vatikani” e mblidhte familjen së bashku për të dëgjuar meshën e Shenjtë.
Mbrëmjet i kalonin duke treguar tregime biblike me të cilat Teuta u rrit dhe nuk i nxori kurrë nga zemra.
“Zoti po më kërkonte” kështu e shpjegon Teuta thirrjen e saj të brendshme për t’u bërë murgeshë dhe për ti shërbyer Kishës.
Vendimet e rëndësishme në jetë duhen menduar mirë. Ndaj edhe motër Teuta tregon se nga momenti kur e ndjeu thirrjen e Zotit u thellua në lutje për të kuptuar qartë mesazhin që krijuesi po mundohej ti jepte.
“Në vitin 91’ në muajin gusht një grup vullnetarësh nga Italia të salezianëve, një grup të rinjsh të udhëhequr nga dy meshtarë pra nga dy priftërinj vijnë në Shkodër.
Ata kishin ardhur që të bënin aktivitete me të rinjtë dhe ndodh që ky grup vjen për të qëndruar në shtëpinë time sepse nuk kishin vend ku të qëndronin. Pasi kisha në atë kohë po rregullohej. Ky ishte për mua rasti për të njohur përshpirtërinë Saleziane, njoha fenë më mirë, u njoha më shumë me Biblën. Duke parë që këta djem dhe vajza e kishin vendosur Zotin në qendër të jetës së tyre kuptova që ndjesia që unë ndjeja prej kohësh tashmë po merrte formë. Në atë verë të 91’-shit në zemrën time pas një periudhe krize arrita të kuptoja që Zoti po më kërkon diçka. Ai po më kërkonte që unë ta përkushtoja jetën time ndaj tij, fesë dhe edukimit të të rinjve. Nuk më kërkonte të isha thjesht një motër në kuvend, por të jetoja përshpirtërinë saleziane që është edukative. Unë mora vendimin në zemrën time.”
Edhe pse në zemrën e saj Teuta e kishe vendosur, frika për ta ndarë me familjen e saj shpesh e bënte të mendonte se ndjenja e saj është kalimtare dhe ekzistonte vetëm në mendjen e saj.
“Njeriu i parë me të cilin e ndava vendimin tim ishte shoqja ime e ngushtë. Kisha frikë nga reagimi i familjes edhe pse ne ishim dhe jemi familje besimtare. Mendoja se kjo që po ndjej është diçka kalimtare dhe nuk kisha as shembuj para meje me të cilët të flisja”
Zoti po i kërkonte një përgjigje, ndaj Teuta me vendimin që kishte marrë në zemrën e saj fillon të kontaktojë me njërin nga meshtarët, i cili udhëhiqte grupin verën e 91’-shit.
“Për të shoshitur këtë ndjesi në zemrën time kontaktova me një nga meshtarët dhe një motër sigmatine. Doja të kuptoja nëse Zoti flet në këtë mënyrë apo ishte thjesht një iluzion. Pas 3-4 muajsh me ndihmën e meshtarit unë flas me babin tim dhe i tregoj se dua të bëhem murgeshë.”
“Nëse ti mendon se Zoti po të thërret shko, por mos harro kjo nuk është një gjë e lehtë. Ti nuk do bësh vullnesën tënde e as timen, por do besh vullnesën e zotit bija ime”- janë këto fjalët me të cilat babai i dha Teutës bekimin për të vazhduar rrugën.
Teuta kujton se kërkesat për martesë i anashkalonte me pretekstin se do mbaronte shkollën.
Edhe pse i ra mohit martesës pasi Zoti e thirri t’i shërbente edukimit të të rinjve, Teuta shprehet se në një formë të ndryshme e përjeton amësinë.
“Jo se nuk më pëlqente ideja e jetës martesore, por ndjeja se diçka më e madhe më thërriste. Pastaj unë vendosa t’ia kushtoj jetën Zotit. Dikush përkushtohet ndaj një bashkëshorti, fëmijëve unë zgjodha t’ia përkushtoj jetën time Zotit. Nëpërmjet taktit edukativ me të rinjtë unë e kam ndjerë shumë herë një lloj amësie nga ajo jo fizike. Zoti e zgjeron zemrën tonë pasi ne kemi nevojë të duam njerëzit.”
Vendosmërinë e saj e ka fituar pas disa mëdyshjesh. Motër Teuta thotë se lidhjen me zotin mund ta kuptosh duke parë një marrëdhënie martesore. Partnerët janë shpesh në dilemë nëse ai/ajo që kanë përkrah është i duhuri, a duan ata që ta kalojnë gjithë jetën me të. Është kjo nga sfidat e përditshmërisë në jetën e shuguruar.
“Shërbim”- kështu e përmbledh motër Teuta fjalën dashuri.
Të shërbesh që tjetri të jetë i lumtur sipas saj është çelësi i suksesit të një marrëdhënie qoftë ajo martesore, familjare apo edhe shoqërore.
Ndonëse mendohet shpesh se të jesh besimtare e përkushtuar ndaj fesë detyrimisht je brenda një rrethi muret e së cilit nuk i thyen dot.
Motër Tuta thotë se ajo jeton me lirinë e plotë dhe se “bukën e gojës” e fiton duke pasur kujdes në kryerjen e misionit të saj.
Nëse rruga ndaj përkushtimit ndërmerret si një mundësi për të shpëtuar nga diçka tjetër sipas Teutës nuk do të ketë kurrë lumturi.
“Sepse nëse Zoti të thërret ai ta bën më të lehtë rrugën. Nëse ne e marrim një rrugë të tillë se duam të ikim nga diçka, sigurisht nuk është rrugë e lumtur. Duhet të kesh sigurinë që po lufton me dikë në krah. Dikush na ka thirrur për diçka të madhe.”
Ajo nuk e shikon përkushtimin ndaj fesë si një punë apo si karrierë.
“Në sytë e zotit nuk vlen posti që ke por shërbesa që ti kryen”.
Ajo shprehet se Kisha katolike nuk ka ndarje mes gruas dhe burrit.
Ajo shpjegon se thirrja e meshtarisë është po ashtu një shërbim i çmuar dhe i pazëvendësueshëm në Kishë por nuk ka të bëjë me ndonjë lloj karriere, pra nuk ka poste të ndara për nga rëndësia.
“Është si të them nëse duhet një burrë të bëhet xheloz për rolin amësor të nënës? Jo! Janë të dy role shumë të rëndësishme. Ashtu si çdo rol i njerëzve që i shërbejnë kishës”- thotë motër Teuta
Teuta Buka që nga vogëlia ka ndjerë thirrjen për jetën shpirtërore dhe është rritur me dëshirën për t’u përkushtuar plotësisht Zotit.
Profili i Teuta Bukës është shembulli më i mirë për të kuptuar se çdo individ ka një mision të veçantë një thirrje prej Zotit në jetë, së cilës është I lirë për t’iu përgjigjur po ose jo.