Hijabi (që në zhargonin e përditshëm quhet perçe) i ka dhënë lirinë. Kështu këmbëngul Rozeta. Edhe pse përgjatë 14 viteve që e mban këtë simbolikë të përkushtimit ndaj fesë islame është paragjykuar. Pavarësisht këtij dualizmi bindjesh, 34 vjeçarja ia ka dalë që të jetojë jetën moderne brenda kufijve që feja i vendos.
Nga një bisedë e shkurtër me Rozetën mund të kuptosh se përballë teje qëndron një vajzë e qetë, e edukuar dhe mjaft e zgjuar.
Vlera njerëzore këto që nuk i dëgjon shpesh kur flitet për vendin e saj të lindjes.
Origjina e saj është Shijaku, një qytezë shumë afër Durrësit dhe gjithashtu Tiranës.
Largësia e vogël nga kryeqyteti i Shqipërisë, përkthehet në një distancë të madhe emancipimi të këtyre familjeve.
Këtë na e vërteton edhe Rozeta kur tregon “kalvarin e vuajtjeve” që i është dashur të kaloj vetëm sepse donte të arsimohej.
E lindur në vitin 1990 ajo kujton se fëmijëria e saj ishte shumë e bukur me kushte shumë të mira dhe harmoni.
E apasionuar pas të nxënit fillimi i gjimnazit për të ishte si fillimi i një ëndrre.
Me një baba nga Shijaku dhe një nënë nga Marikaj, për shkollimin e Rozetës do të pyeteshin edhe xhaxhallarët e saj.
Të bindur që vajzat nuk duhet të shkojnë në shkollë pasi mund të marrin rrugë të keqe apo të njihen me ndonjë djalë, ata i imponojnë vëllait të tyre (babait të Rozetës) idenë që Rozeta më mirë të mos shkonte në gjimnaz.
Absurde për një familje qe atëherë jetonte prej vitesh në Tiranë.
“Gjimnazi që un doja të studioja atë kohë ishte “Ismail Qemali ” por xhaxhallarët e mi ndërhynë duke i thënë babait se shkolla nuk bën për vajza. Mos e dërgo në shkollë se do dali duarsh, do marri rrugë të keqe dhe kështu Im atë nuk e mendoi më gjatë dhe ma ndaloi shkollën.”-shprehet Rozeta
Edhe pse në zemrën e saj koha nuk i ka mbyllur disa plagë ajo përpiqet ta justifikojë veprimin e babait të saj duke thënë se:
“Unë isha e para në fis për sa i përket kushërirave nga ana e babait që do të filloja gjimnazin. Nuk di të them pse mendonin ashtu ndoshta mentaliteti pasi shumica prej tyre jetonin akoma në Shijak.”
Për një fëmijë, lumturia shpesh përkufizohet nga gjërat e thjeshta dhe momentet e përditshme. Lojëra, kukulla, apo aventura në park.
Rozeta tregon që lumturia për të ishte shkolla. Pas shumë diskutimesh babai i saj duke mposhtur disi mentalitetin vendos ta dërgoj Rozetën në “Medrese”.
Kur përmendet Medreseja, mendimi i parë që të vjen ndërmend është Islami.
Familja Tusha i përkisnin fes islame por nuk ishin praktikant të saj. Ndaj edhe Rozeta e njihte shumë pak fenë islame.
Fakti që Medreseja është një institucion arsimor ku studentët marrin mësime fetare dhe etike islame, aso kohe nuk përbënte asnjë lloj interesi për Rozetën.
Me idenë e fisit se do të ishte e sigurtë dhe me lot në sy Rozeta konkurron për tu pranuar në Medrese.
“E mbaj mend shumë mirë, kur kam shkuar ditën e konkursit i kisha sytë me lot. Të gjithë shokët dhe shoqet e mi ishin regjistruar tek “Ismail Qemali”.- rrëfen Rozeta.
Si të gjitha vajzat në përgjithësi Rozeta mban një marrëdhënie shumë të mirë më mamanë e saj, e cila pasi rezultatet e konkursit tregonin Rozetën fituese i tha që ajo nuk ka pse të mbulohesh e as të falesh 5 herë në ditë. Duhej vetëm të shkollohej pasi kjo ishte e vetmja mundësi. Një vajzë si Rozeta që nuk u dorëzua kurrë përfaqëson simbolin e forcës, vendosmërisë dhe besnikërisë ndaj ëndrrave.
Sot Rozeta është e diplomuar në dy universitete dhe një besimtare e devotshme.
Deri në moshën 14 vjeçare Rozeta e ka jetuar jetën e shkëputur nga feja apo ideja e të qënurit myslimane.
Kur tregon për rrugëtimin e saj është e bindur se fati i saj ishte i shkruar nga Allahu.
Shenja e parë që Rozeta mori nga perëndia ishte fakti se në “Medrese” u ndje si në shtëpi. Paçka se nuk njihte asnjë nga shoqet e klasës mes tyre me kalimin e kohës lindi një miqësi që vazhdon akoma edhe sot me kujtime të përzemërta.
Zgjedhja e gjimnazit ishte vetëm fillimi i trazirave në jetën e Rozetës.
Po të shikosh familjet shqiptare ndër vite e kanë vuajtur mungesën e të ardhurave ekonomike.
Në familjen e Rozetës nuk mungonin të ardhurat por keq menaxhimi i tyre nga babai i saj solli ndarjen e dy prindërve.
Bixhozi dhe alkooli larguan përfundimisht kryefamiljarin nga ajo vëllai dhe nëna e saj.
Ekziston një fjalë e vjetër që thotë “Fëmija pa nënë është jetim por pa baba është fukara”.
Jeta për Rozetën dhe familjen e saj u vështirësua, të ndarë dhe disi të mbytur në rrjedhën që historia mori ajo shpesh gjente ngushëllim tek zoti.
Për një vajzë myslimane një nga hapat më të rëndësishëm është mbulimi i hireve të saj. Që sipas Rozetës nuk është një mënyrë për tu mbrojtur nga burrat por një simbol i përkushtimit dhe besimit.
Mësimet që ajo mori ne Medrese kishin injektuar në mendjen e Rozetës se ka ardhur koha të mbulohet.
Vendosja e hixhabit është një akt personal dhe shpirtëror, dhe për shumë gra, është një mënyrë për të ndjerë një lidhje më të thellë me Zotin.
Ajo vendosi të ndjekë rrugën e besimit duke mbuluar veten, si shenjë e përkushtimit të saj shpirtëror.
Në zemrën e saj kishte lindur dëshira që lajmin ta ndante fillimisht me nënën e saj.
Aso kohe vetëm 16-vjeçe Rozeta përballet me reagimin e ashpër të nënës së saj.
“Në vitin e 3- të të gjimnazit unë vendos të mbulohem kisha kaluar fazat e mësimit te “Kuranit” (librit të shenjtë) jetën e Profeti Muhamed a.s.
Me mendjen time e kisha të ndarë që doja të mbulohesha.
Rozeta edhe pse e bindur në vendimin e saj, teksa tregon se i kishte marrë parasysh të gjitha kushtet pengohet nga nëna e saj.
“Mora guximin dhe i thash mamit. Ishte shumë kundra, u stepa dhe nuk guxoja ta ndaja me të tjerët ndaj hoqa dorë.”- tregon Rozeta.
Të jesh fëmija i parë i një familje jo gjithmonë është e lehtë. Kujtimet e saj mbi ndarjen e prindërve, kushtet e vështira ekonomike apo edhe vështirësitë për tu arsimuar janë thellë të rrënjosura në kujtesën e saj.
Qetësia e saj përshkruan forcën e saj të brendshme dhe aftësinë për të qëndruar e qetë përballë sfidave.
Edhe pse atëherë nuk u mbulua Rozeta e jetonte jetën e përkushtuar ndaj fes.
Që në momentin kur mësoi si të falte “Namazet” nuk ndaloi kurrë. Për Rozetën nuk ka rëndësi në çfarë kushtesh ndodhet, ajo gjithmonë do ti respektoj rregullat e fesë së cilës i përket.
Edhe gjatë udhëtimeve të saj me avion ajo tregon se ashtu nën zë lutet dhe falet pa i bezdisur njerëzit rreth saj.
Me rritjen njeriu fillon të bëhet i ndërgjegjshëm dhe i bindur për veprimet e tij.
Ndaj më hyrjen në shkollë të lartë Rozeta vendos përfundimisht të mbulohet.
Kësaj radhe nuk kishte më kthim pas në zemrën dhe mendjen e saj ajo kishte krijuar bindjen të vendoste shami. Prej asaj kohe kalë kaluar plot 14 vite që 34-vjeçarja jeton nën petkun e shamisë.
Shamia për Rozetën është veshja që e karakterizon dhe shpesh e ka ndihmuar.
“E mira e shamisë pra fakti më kryesor për mua është që në kontaktin e parë me një njeri ti arrin ti tregosh atij/asaj limitet dhe kornizat e tua dhe ku ai/ajo mund të shkoj gjatë komunikimit me ty. Mund të them që shpesh i imponon respekt tjetrit ndaj them se mua me ka ndihmuar hijabi.
Këtu është vetëm fillimi i një dualizmi për Rozetën pasi tregon se gjatë periudhës kur studionte jashtë vendit shpesh është ndjerë e paragjykuar për veshjen që mbante.
Ajo nuk mund ta mohoj faktin që shpesh shamia ka ndikuar edhe si faktor për mos pranimin në një vend pune.
Rozeta është shumë e bindur në aftësitë e saj dhe asnjëherë nuk u dorëzua. Nëse e pyet për arritjet ajo flet pa u menduar gjatë, sikur të reciton një vjershë që i është dashur kohë ta shkruaj.
“Kur mbarova bachelor-in e dytë në vitin 2014-2015 ndihesha e përmbushur por një nga ëndrrat e mija ishte të studioja jashtë. Të nxënit, arsimi për mua kanë qenë gjithmonë shumë të rëndësishme.
Sigurisht unë nuk kisha mundësi të shkoja në universitetet shumë të njohura apo që ndoshta ëndërroja. Nuk e përballoja dot pagesën. Fillova të kërkoj universitete që më mbulonin edhe jetesën përveç tarifës mësimore pra ofronin bursa.”
“Një e njohura ime më thotë që Turqia po jepte bursa të tilla, kur dëgjova që ishte Turqia nuk më pëlqeu shumë. Nuk ishte shteti i ëndrrave të mija, doja vende më perëndimore.”
Edhe pse Shqipëria dhe Turqia ndajnë shumë elemente kulturore deri diku të njëjta, kjo gjë nuk e bënte Rozetën të ndihej e mirëpritur.
“Gjithsesi bëra aplikim. Me vjen një “Email” në maj ku më tregonte se kisha kaluar fazën e parë.”
Ekonomia ishte faktori kryesorë që vendosi vendin ku Rozeta do të studionte.
“U thash komisionit që doja të shkoja në Turqi jo se kisha ndonjë dëshirë të madhe por prej kushteve ekonomik që unë ndodhesha. Ai shtet ishte i vetmi vend që do më mbulonte jetesën në një vend tjetër.
Sot një grua me një bagazh të pasur njohurish dhe me një perspektivë të gjerë në fusha si mjekësia dhe menaxhimi i biznesit Rozeta jeton edhe një jetë martesore të lumtur.
Jeta martesore e Rozetës është një udhëtim i mbushur me devocion, dashuri dhe përkushtim. Ajo e ndan jetën me bashkëshortin e saj, duke ndjekur parimet e fesë që udhëzojnë drejt harmonisë. Çdo ditë përpiqet të ndërtojë një familje të mbushur me paqe dhe begati, ku përkushtimi ndaj Zotit dhe respekti ndaj njëri-tjetrit janë themeli. Ajo e sheh martesën si një bekim, një rrugë që e afron më shumë me Zotin dhe e ndihmon të rritet shpirtërisht. Duke krijuar fotografinë e një familje që pasqyron vlerat e larta të besimit të saj.
Bashkëshorti i saj është nga Iraku ndaj Rozeta shpesh ndeshet me idenë se ai është një arsye më shumë pse ajo iu përkushtua fes.
Ata u njohën dhe u celebruan në Turqi. Rrugëtimi I saj drejt dijes i dha mundësinë të njohë gjysmën e saj. Rozeta Tusha u bë Rozeta Al-Rawy sipas saj mbiemri është e vetmja gjë që ndryshoi nga martesa me një shtetas të huaj.
Gratë në Irak përballen me kufizime të mëdha por Rozeta tregon se bashkëshorti i saj kurrë nuk tentoi ta bënte atë të jetonte brenda rregullave të vendit të tij.
Shqipëria për çiftin mysliman nuk ishte vendi i preferuar për të jetuar. E gjitha erdhi si shkak i një fatkeqësie, kur Rozeta humb fëmijën që mbante në bark.
Rrugët e Turqisë i kujtonin rrugëtimin e saj për tu bërë nënë ndaj për çiftin u bë e pamundur të qëndronin.
Me ardhjen e tyre në Shqipëri ata arritën të punësoheshin dhe zoti i bekoi edhe me një djalë.
Rozeta sot jep kontributin e saj ne departamentin e piarit dhe marketingut si koordinatore e marketingut ndërkombëtarë të “University of New York Tirana”.
Ndërsa burri i saj punon si Inxhinier Software për një kompani të huaj.
Në krye të arritjeve 34-vjeçarja vendos familjen e saj.
Një kartolinë shumë faqëshe e mbështjell më besim, njohuri dhe sakrifica përshkruan më së miri jetën e saj.
Duke ditur që në jetë korrë atë që mbjell, për një besimtar dita e gjykimit është stacioni i fundit ku do të vlerësohet mënyra se si jetuar.
Arsimimi, besimi dhe familja janë elementet që të kombinuara e ndihmojnë Rozetën të jetojë me ndershmëri dhe do e afrojnë atë drejt xhenetit vendit ku njeriu jeton i lumtur.
Rozeta Tusha është shembulli ndoshta jo më i veçanti por ndër më të mirët për të kuptuar se mundi dhe sakrifica shpërblehen në jetë.