Vjeshta që sapo ka trokitur mund të sjellë një stuhi në politikën shqiptare, pasi Artan Hoxha, gazetari i njohur për investigimet e tij të thella, paralajmëron zhvillime të mëdha që do të tronditin ndjeshëm skenën politike. Sipas Hoxhës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) është në përgatitje për një seri aksionesh të bujshme, duke përfshirë arrestime të nivelit të lartë që prekin figura kyçe të politikës shqiptare. Në një intervistë për “Euronews Albania”, Hoxha zbërthen dosjet që po shqyrtohen dhe hedh dritë mbi ndodhitë e pritshme që do të ndodhin deri në fund të shkurtit 2025. Ky është një moment vendimtar për drejtësinë në Shqipëri dhe zhvillimet që priten do të jenë vendimtare për të ardhmen e të akuzuarve dhe për transparencën e institucioneve të vendit.
-Zoti Hoxha, fraza që ka mbetur në shtator do të bëhet nami, nga dosjet që t’i di e që janë në SPAK, çfarë na pret në këtë shtator?
Kjo batuta e shtatorit ngelet e ish-prokurorit Adriatik Llalla, i cili vazhdimisht thoshte në shtator do të ndodhin gjëra të reja dhe në fund në shtator ai iku vetë në këtë histori. Nuk është dhe aq e lehtë ta demontosh këtë kalçifikim që ka elita politike e këtij vendi. Ne sot kemi një elitë politike shumë të pasur, asnjëherë nuk e kemi patur e nuk e kemi menduar. Dhe ky është një problem shumë i madh. Ne kemi politikan sot shumë më të pasur dhe se biznesmenët më të mëdhenj të vendit. E prandaj është krijuar dhe SPAK-u, për të goditur dy kahet kryesore që kontrollojnë paranë në këtë vend. Pikërisht politika dhe bota e krimit. Ne sot kemi politikan të cilët janë më të pasur dhe se biznesmenët vetë.
Dhe ky është bërë problem. Kemi politikan që janë kaq të aftë, kanë kaq shumë asete, burime njerëzore dhe mbi të gjitha burime ekonomike, të aftë të destabilizojnë vendin. Të krijojnë vazhdimisht kriza në këtë vend dhe ne po e shohim. Të mbajnë peng njërën forcë politike apo tjetrën forcë dhe ne po e shohim këtë gjë. Nga buron e gjitha kjo? Nga fuqia ekonomike. Po nuk ke fuqi ekonomike, ke dalë nga loja. Dhe krijimi i këtij potenciali ekonomik që kanë ata, kjo i bën ata të ulën dhe herë pas herë të bëjnë edhe marrëveshje. Detyra e SPAK-ut që kur u krijua u nda në dy pjesë. Pjesa që do të godas korrupsionin politik dhe pjesa që do të godasë krimin e organizuar. Gjëja ndërmes është biznesi që lidh të dyja palët sepse ajo merr paranë e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e legalizon. Drejtësinë nuk e bën SPAK-u, e bën Gjykata. Dhe ne ende nuk kemi parë një betejë ligjore, duke filluar që nga çështja e zotit Berisha, ai kundërshtoi vendimin e Gjykatës, po të ishte paraqitur mund të fitonte lirinë por mund të ndodh si zoti Beqaj që u paraqit dhe në burg përfundoi. Sot ndodhemi para kësaj situate, se a ka SPAK-u nëpër dosje nëpër duar?
Po, dhe shumë të rëndësishme. Por sidomos në nivelin politik dhe pritshmëria është atje. Po të shikosh lëvizjet e muajve të fundit, duket sikur marrëveshjet apo tolerimet që i ka bërë opozita-mazhorancës, i bashkon një pikë, neutralizimi apo kufizimi i SPAK-ut. Ky është një vit i cili kulmon me zgjedhjet e pranverës së vitit të ardhshëm, e si e tillë SPAK-u është shumë i rëndësishëm, të paktën deri nga fund muaji shkurt i vitit tjetër, SPAK-u do të jetë shumë i rëndësishëm për të pastruar sa më shumë të jetë e mundur procesin e ardhshëm zgjedhor.
-Pse janë shtuar kaq shumë ekstradimet?
Sepse është rritur shumë numri i shqiptarëve të cilët janë përfshirë në aktivitete kriminale javët e fundit.
-Nuk kanë qenë më parë?
Jo në këto nivele. Jo vetëm që është rritur si sasi, si numër por edhe si cilësi të veprave kriminale. Janë vepra penale të nivelit më të lartë, ndaj dhe agjenësitë e zbatimit të ligjit të vendeve të tjera janë kaq operuese duke përdorur e sidomos Interpolin, marrëveshje dypalëshe që kemi ne për ekstradimet.
-Çfarë zhvillimesh të reja pritet të ketë dosja e “21 Janarit”?
Çështja e 21 Janarit do të ketë hetime, Prokuroria ka bërë një plan veprimi. SPAK-u dhe BKH-ja, besoj se do të veprojnë menjëherë duke thirrur personat që duhet të ishin thirrur e nuk janë thirrur deri tani. Nga ajo që di deri tani, besoj që aty do të thirren personazhet më të rëndësishëm politik në vend. Ndrea Prendi, dëshminë që ka dhënë në SPAK, herën e kaluar nuk ka qenë për 21 Janarin. Është një çështje që do ta shohim në vijim e sipër.
Është një çështje e cila kulmon dhe me fushatën zgjedhore, prandaj do të kemi disa zhvillime që jo rastësisht do t’i mbivendosen edhe zhvillimeve politike në vend, sepse kemi një fushatë elektorale që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri, me një forcë politike që kërkon një mandat të katërt dhe me një opozitë që ka ardhur nga një krizë e jashtëzakonshme. Opozitës i duhet të ri ngrihet në këmbë dhe të përballojë edhe krizën në radhët e saj por të përballoj edhe kundërshtarin për të bërë një ndryshim politik. Nga e gjithë tabloja që bëra, do të ketë zhvillime që do të duket një dimër edhe më i nxehtë se vera.