MENU
klinika

Çfarë po ndodh në Veri?

Forca të shtuara të KFOR-it sërish në urën e Ibrit

04.09.2024 - 12:41

Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë. Pjesëtarë të misionit i thanë korrespondentes së Radios Evropa e Lirë në terren se bëhet fjalë për disa stërvitje. REL-i kërkoi përgjigje zyrtare nga KFOR-i, por nuk mori. Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar se ka kryer disa trajnime. Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri. Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.

Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur. Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë./ REL