“Gjermania nuk do të zvogëlojë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën”, u zotua sot kancelari Olaf Scholz, duke kërkuar të zbusë frikën se Berlini mund të zhgënjejë Kievin mes një shtrëngimi të buxhetit gjerman dhe raporteve për një ngrirje të re të ndihmës ushtarake.
Në të njëjtën kohë, sot ushtria gjermane e gjendur përballë kërcënimit rus, aktivizoi sistemin e saj të parë të mbrojtjes ajrore të tipit IRIS-T SLM, katër grupe prej të cilave Berlini ia ka dhuruar tashmë Ukrainës, që nga tetori 2022
Edhe përpara se Forca Ajrore Gjermane të dorëzonte grupin e saj të parë, Gjermania financoi sisteme të shumta IRIS-T SLM për Ukrainën, të përdorura kryesisht për të mbrojtur Kievin nga sulmet me raketa ruse, duke e bërë atë një nga donacionet më të lakmuara të armëve nga Perëndimi.
Deri më tani, Gjermania ka dorëzuar katër nga një total prej 12 grupesh IRIS-T SLM të premtuara për Kievin, me dy sisteme të tjera që do të dërgohen deri në fund të vitit.
“Në Ukrainë, IRIS-T deri më tani ka rrëzuar më shumë se 250 raketa, dronë dhe raketa lundrimi dhe ka shpëtuar jetë të panumërta, me një shkallë mbresëlënëse suksesi prej 95% ose më shumë”, tha Scholz.
Me një rreze prej rreth 40 km, sistemi i ideuar nga kompania gjermane Diehl është përdorur për të rrëzuar raketat e lundrimit – të përdorura nga Rusia në sulmet ndaj termocentraleve – dhe gjithashtu kundër avionëve, duke përfshirë dronët “Shahed” të prodhuar nga Irani.
“Vladimir Putin ka vendosur raketa deri në Kaliningrad, 530 kilometra larg Berlinit. Do të ishte gabim nëse nuk do të reagonim në mënyrën e duhur. Mosveprimi do të rrezikonte paqen edhe këtu në vendin tonë”, deklaroi më tej Scholz gjatë ceremonisë në bazën ushtarake të Bundeswehr.
Në total, Berlini ka porositur gjashtë nga këto sisteme. Pas dorëzimit të grupit të parë sot, Bundeswehr-i duhet të marrë pesë të tjerat deri në maj të vitit 2027. Këto formojnë krahun gjerman të ombrellës së mbrojtjes raketore European Sky Shield (ESSI) që u prezantua nga Berlini në gusht 2022 në Pragë dhe ku marrin pjesë 21 vende..
“Mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën nuk do të ndalet. Ne kemi bërë dispozita, kemi përfunduar marrëveshje dhe kemi siguruar financim në kohë në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë të mbështetet plotësisht tek ne në të ardhmen”, siguroi kancelari gjerman.
Scholz po fliste në një bazë ushtarake pranë qytetit verior të Todendorf, ku sistemi i parë gjerman i mbrojtjes ajrore me rreze të mesme veprimi IRIS-T SLM u vu në veprim.
Përveç mbrojtjes me rreze të shkurtër të ofruar nga sistemi IRIS-T, iniciativa ESSI mbështetet në sistemin amerikan Patriot për mbrojtjen me rreze të mesme dhe në shigjetën amerikano-izraelite për rreze të gjatë.
Gjatë fjalës së tij, Scholz vlerësoi ESSI duke thënë: “Ne duam që sa më shumë shtete të jetë e mundur të marrin këtë sistem”, çka u pa si një shkelje syri për Francën, shtet i cili nuk i është bashkuar ESSI.
“Ajo që po krijohet gjithashtu sot është një plan për bashkëpunimin evropian të mbrojtjes, shumë përtej fushës së mbrojtjes ajrore”, theksoi kreu i qeverisë federale gjermane.
Përballë kërcënimit rus, Berlini ra dakord gjithashtu në mes të korrikut me Uashingtonin për të vendosur raketa amerikane në Gjermani nga viti 2026.
Një vendim që Scholz e mbrojti sërish sot, pavarësisht kritikave në vend, veçanërisht nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme. “Është siguria e paqes këtu dhe parandalimi i luftës”, theksoi ai.