MENU
klinika

Nga Mero Baze

Rithemelimi, riciklim apo ridënim?

05.09.2024 - 21:58

Shikoj shumë demokratë të zemëruar me listën e drejtuesve politik të 12 qarqeve. E vërteta është se lista është një kompromis politik i Berishës me kundërshtarët e vet. I ka sistemuar të gjithë ata që mund t’i iknin përsëri, nëse nuk u jepte diçka, dhe i ka lënë jashtë liste ata që e di që nuk i ikin dhe sikur t’ua rrjepë lëkurën.

Por natyrisht këta të fundit duken të mërzitur, pasi mendojnë se nuk u shpërblyen për qëndresën e tyre kundër tradhtarëve.

Madje ka të mërzitur për arsye gjeografike, të tjerë për arsye seksi dhe gjinie e deri të Albana që është zhgënjyer që nuk ka marrë postin e 13 në PD.

I gjithë procesi i rithemelimit tani ngjan sikur përfundoi në një riciklim të të gjithë armiqve të rithemelimit.

Por nuk është tamam ashtu.

Për të kënaqur armiqtë e rithemelimit, Berisha ka shpikur drejtuesit politik të qarqeve, por për t’i ndëshkuar ata, ka shpikur “primaret”. Ato do t’u bëjnë gjyqin popullor gjithë armiqve që ka “falur” dhe vet Berisha.

Ndaj mos u mërzisni kot, pse në këtë qark është drejtues filani që ka sharë Berishën apo në këtë qarkun tjetër është filani që s’ka lënë gjë pa thënë.

Ata do t’i gjykojë populli para zgjedhjeve dhe rezultati do shpallet kur ata të mos kenë ku të shkojnë më.

Natyrisht nuk do mbeten jashtë liste, por jo në krye. Një shuplak do ta marrin.

Sidoqoftë kanë kohë nga tani deri në zgjedhje të tregojnë që kanë reflektuar ndaj Berishës dhe duke sistemuar axhendën, ku pikë e parë të jetë lirimi i Sali Berishës dhe pikë e dytë fajësimi për humbjen në zgjedhje të Edi Ramës.

Pra kjo vala e zemërimit nuk është shumë e justifikuar. Berisha nuk i ka tradhtuar të vetët. Vetëm sa u ka kujtuar se ata duhet ta marrin vet hakun jo me dorën e atij. Atij i duhen të gjithë për t’u dukur kryetar. Ata demokratët e thjeshtë pastaj le të vendosin vet kush duhet të jetë kandidat i tyre.

Rithemelimi, vërtet ngjan si riciklim, por në fakt është ridënim. Nuk do shpëtojnë aq lehtë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN