Pensionistët ende nuk janë të qartë se çfarë do të ndodhë në tetor. Ministri i Financave, Petrit Malaj premtoi dy ditë më parë se sfidë personale e tij, por edhe e qeverisë mbetet adresimi i çështjes së pensioneve. Ministri paralajmëroi se në muajin tetor është parashikuar të ndodhë indeksimi i pensioneve me një vlerë prej 4.1 miliardë lekë. Megjithatë, ministri la të kuptohej se po punohet për diçka më shumë. Ai tha se grupet e punës po punojnë me synim pensione më të larta. “Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas.
Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve që do të duhet ta rishikojmë. Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore. Këtu flas jo vetëm për indeksimin e pensioneve”, tha ai.
Përfitimet e pensionistëve
Ndërkohë, eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, duke folur në “Çështja e Ditës” zbërtheu formulën e indeksimit të pensioneve, duke shtuar se ata që kanë pension të ulët, në muajin tetor do të marrin 50 mijë deri 100 mijë lekë të vjetra, më shumë se zakonisht, në pensionin e tyre mujor. Sipas tij, nga bonusi i tetorit pritet të përfitojnë 250 mijë pensionistë ku përfshihen pensionet e pjesshme, të kooperativave apo pensionet e ulëta në vlerë monetare. “Qeveria ka për detyrë indeksimin e inflacionit. Nga indeksimi, çdo pensionist do fitojë më shumë, 1900 lekë në muaj mesatarisht. Pensionet e ulëta do shtohen 50 mijë deri në 100 mijë lekë të vjetra vetëm njëherë, në tetor, kur do jetë bonusi.
Pensionet e ulëta janë ato që nuk kanë plotësuar vitet e punës, pension kooperative, janë 230 mijë pensionistë, janë dhe pensionistët në qytet me pension të ulët. Grupi që merret me këtë punë nuk është transparent, duhet ta kishte edhe pjesëmarrjen e grupeve të interesit. Aktualisht kemi administratë shtetërore shumë të fryrë, që janë 28 përqind, ndërsa në vendet e rajonit është maksimumi 18 përqind. Si ka mundësi që fryhet administrata, kur ke futur e-Albania? Nga 92 mijë vetë në administratë publike ka shkuar në mbi 147 mijë. Administrata mund të ulej në numër dhe të shtohej vëmendja ndaj pensionistët. Duhet pasur vëmendje për nënat me shumë fëmijë, për invalidët“, tha ai.
Problematikat
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko u shpreh në një intervistë për “Top Neës” se Shqipëria ka pensionet më të ulëta në Ballkan. “Jemi në një situatë ku masa e pensionit ku gëzojnë ato që janë në pension është ndër më të ulëtat në Evropë dhe ndër më të ulëtat në Ballkan. Edhe Kosova që i kishte më të ulta pensionet dhe pagat, tani ka marrë disa masa për të përmisuar situatën. Shqipëria renditet ndër vendet më të ulta në lidhje me pensionet. Të mos harrojmë një fakt, në 2.4 milion banorë që ka Shqipëria, 1/3 pra gati 800 mijë janë pensionistë, 800 mijë janë forcë pune dhe 800 mijë janë në shkollë, përfshirë fëmijë deri në 18- vjeç ose janë të papunë. Ky nuk është raport i drejtë, ne na duhet raporti të paktën 2/1, dy njerëz në punë, një në pension. Ne duhet të përmisojmë këtë raport por nuk përmisohet me punonjës nga Filipinet dhe Bangladeshi.
Nuk sjellim dot një milion të tjerë që ta bëjmë Shqipërinë 3.4 milion banorë por me 1 milion të huaj. Dhe po të duam ne ta bëjmë, nuk e pranojmë dot ne si shqiptarë. Duhen politika për të sjellë ata që janë në emigrim, t’i sjellim në Shqipëri, të shtojmë numrin e lindjeve, të përmisojmë situatën ekonomike dhe financiare të familjeve shqiptare, ku pjesë e familjes janë edhe pensionistët. Duhet t’ju jepet mundësia pensionistëve të cilët janë të fortë fizikisht, pasi mendërisht janë me tru plotë, t’ju jepet mundësia që të punojnë 2-3 orë punë në ditë, atë gjë që ditë të bëjnë më mirë. Ato janë njerëzit që i kanë trutë plotë, janë njerëzit dhe njohin kompetencat dhe përgjegjësitë shumë herë më mirë se ne. Duke i punësuar dhe dhënë para, i heq nga skema e sigurimeve shoqërore dhe i jep një rrogë dinjitoze. Nuk do të marrë pagë 100.000 lekë por të paktën 50000 lekë për 3-4 orë punë e si e tillë nuk do të marr 15000 lekë pension. Ka shumë njerëz të tillë që kanë aftësinë e mjaftueshme për të bërë punë, qoftë në administratën publike dhe në sektorin privat.
E nuk po flas vetëm për punë të thjeshta por dhe për punë që kërkojnë kujdes, kërkojnë intuitë, aftësi menaxheriale, sepse është mosha dhe pjekuria që është një zgjidhje. Unë nuk po them që ta bëjmë në masë por atje ku është e mundur duhet bërë. Nga ana tjetër duhet edhe të rriten pensionet. Nëse ti ke rritur pagën mesatare, pagën në përgjithësi, përse nuk po rriten pensionet? Sepse atyre që janë në punë sot, një punonjës që e ka rrogën 100.000 lekë, ti i merr sigurime shoqërore 26000 lekë në muaj. Përse pensioni është 15000 lekë por jo 25000 lekë? Kur kemi 800.000 persona në punë dhe 800.000 mijë pensionistë, këtyre që janë në punë iu merr 25000 lekë për sigurime shoqërore por këtyre që janë në pension përse i jep 15000 lekë por jo 25000 lekë, ku shkon 10000 lekëshi për 800.000 banorë që janë në punë që iu merren për sigurime shoqërore. Ku shkojnë 10000 lekë të tjera, kush i fut në xhep, kush i vjedh këto para, përse nuk iu ngelet pensionistëve? Duhen bërë disa llogari të thjeshta dhe parë me tjetër sy”, tha ai.
Skema e pensioneve
I pyetur për lëvizjet në skemat e pensioneve janë të vështira për t’u zbatuar, Enriko Ceko u shpreh se shteti duhet të bëjë ndryshime të mëdha. “Skemat e pensioneve në Shqipëri, situata është e tillë që drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore dhe drejtoritë e Sigurimeve Shoqërore nëpër rrethe, ligji nuk ia lejon që të përfshihen në veprimtari investuese. Çfarë e pengonte shtetin shqiptar që para 20-vitesh me gjithë këtë bum investimesh t’ jepte të drejtën drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore të investonte në ndërtim. Të blinte apartamente drejtoria e Sigurimeve Shoqërore dhe t’i shiste apartamentet dhe me paratë që do të fitonte nga shitja e apartamenteve që do të merrte dhe me ato para të mbushte skemën e Sigurimeve Shoqërore, e t’i jepte pensionet më të larta pensionistëve. Çfarë e pengon shtetin shqiptar që t’i jap aksione Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore te puset e naftës dhe të minierat dhe me ato para të ketë mundësi që të shpërblejë pensionistët me pensione më të larta”, u shpreh ai ndër të tjera.