Socialistët do të mbledhin këtë të diel (8 shtator) Asamblenë Kombëtare në qytetin e Durrësit, ku pritet të votohet kryesia e re dhe sekretariati. Këto ndryshime vijnë si pjesë pasuese e Kongresit të PS të zhvilluar në 28 korrik 2024.
Asambleja do të mblidhet në orën 11.00 ku do të jetë kryesocialisti Edi Rama që do të mbajë fjalën hapëse.
Kryeministri Rama ka reaguar për mbledhjen e sotme ku ka postuar dhe një forto nga ambienti ku dot ë zhvillohet asambleja. Rama thekson se sot nis puna për zgjedhjen e ekipit të PS për Shqipërinë 2030.
“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje nga salla ku sot në Durrës do të zgjedhim ekipin drejtues të Partisë Socialiste, e do të nisim punën për të ndërtuar skuadrën tonë të re përfaqësuese PS2030 për Shqipërinë 2030, ju uroj të diel të bukur”, shkruan Rama në facebook.
Para 350 anëtarëve, kryeministri Rama do të japë edhe shtyllat ku do të organizohet strategjia e socialistëve në zgjedhjet e 2025, por edhe pritet të prezantojë ndryshimet në hartën emërore të partisë. Zgjedhja e kryesisë së re të partisë pritet të jetë një tregues se cilët njerëz do të mbajnë peshën e drejtimit të fushatës elektorale.
PS tashmë ka nisur përgatitjet e saj për zgjedhjet parlamentare të 2025, ku kërkon një mandat të 4-të qeverisës. Kryesia e re kësaj Asambleje do të ketë një rol kyç në përzgjedhjen e listës së kandidatëve socialistë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.