MENU
klinika

Demokratët “mobilizohen” në protestë

Berisha dhe Malltezi në SPAK! Do t’u komunikohen akuzat për dosjen “Partizani”

11.09.2024 - 10:03

Lideri demokrat Sali Berisha sot është thirrur për t’u paraqitur, në orën 12:00, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Ditën e sotme Berisha do të shkelë jashtë banesës së tij pas 8 muajsh, për t’u njohur zyrtarisht me akuzën për dosjen “Partizani”.

Në të njëjtën orë, ashtu si sekretari i përgjithshëm Flamur Noka edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka mobilizuar deputetët e opozitës që të mblidhen në protestë para godinës së SPAK-ut. Ndërkohë mbledhja e Grupit Parlamentar në seli është shtyrë për të enjten.

“Të nderuar kolegë, nesër në 12:00, do të jemi përpara SPAK, sipas njoftimit që është bërë publik. Ndërkohë, mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar, lidhur me seancën plenare, do ta zhvillojmë, të enjten, ora 09:00, në seli. Ju falënderoj”,-thuhet në njoftimin e Bardhit. Lideri i opozitës, Sali Berisha u bëri dje thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta pasi janë jetike për shpëtimin e vendit nga regjimi i Edi Ramës. “I ftoj qytetarët të mos kursejnë vezë dhe domate drejt surratit të hajdutëve! Protesta qytetare është jetike”,-u shpreh Berisha në fund të fjalës së tij gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

“Miqtë e mi, shikoni gjer ku arrin deformimi njerëzor. Shikoni gjer ku arrin antihumanizmi. Këta jo vetëm kanë vjedhur ilaçet e të sëmurëve, por këta përdhosin profesionin e mjekut dhe gjejnë shërbëtorë të tyre që kërkojnë t’i vrasin me heshtje të sëmurët e tyre. Vështirë, shumë vështirë, kurrë nuk kam lexuar. Kjo është njëlloj sikundër të bësh eksperimente tek njerëzit. Të studiosh fatin e tyre pa mjekim. Ti ke kryer një akt shumë, shumë të rëndë. Dhe pse? Sepse ose ke dorë me ta, ose ke frikë dhe vdes në lëkurën tënde dhe nuk del në protestë dhe nuk i merr kolegët dhe të sëmurët përpara ministrisë, t’i pështyjmë në surrat këta horra që vjedhin të sëmurët. Miqtë e mi, u ndala në këtë rast të veçantë, vetëm e vetëm për të theksuar se sa e drejtë është kauza që mbroni. Sa dramatike është situata në këtë vend. Sa jetike është protesta qytetare. Shërbimi shëndetësor, ky është niveli. Ky mesazh tregon nivelin e vërtetë të shëndetësisë”, – deklaroi lideri demokrat.

Sipas tij ky mesazh tregon se si mafia ka pushtuar kujdestarët e shëndetit të njerëzve, shërbëtorët e shëndetit të njerëzve.

“Ndaj dhe ky mesazh duhet të jetë një motivim i fuqishëm për çdo shqiptar për t’u përballur dhëmb për dhëmb me këta hajdutë të pafytyrë. I përshëndes qytetarët për përçmimin që po tregojnë ndaj tyre. I përshëndes qytetarët për refuzimin e tyre. I ftoj qytetarët të mos kursejnë vezë dhe domate drejt surratit të tyre. Mosbindja civile ka mjetet e veta, le t’ua bëjmë ne rrugën sterrë këtyre hajdutëve të pamëshirë që marrin jetë njerëzish për të mbushur xhepat e tyre. Përshëndes qytetarët që protestojnë te bashkia. Përshëndes qytetarët e Thumanës që protestojnë kundër ndëshkimit të ‘Lubi’ Ballukut dhe Edi Ramës dhe i them ‘Lubisë’ bashkë me Edi Ramën, se nuk do mund të ndëshkoni kurrë Krujën ju, nuk do mund të ndëshkoni kurrë veriun ju, se veriu do u japë ju atë që u ka dhënë çdo pushtuesi. Bastardë të etërve xhelatë, pasardhës të familjeve xhelate të Tiranës dhe Shqipërisë. Ndëshkoni shqiptarët çdo ditë dhe çdo natë. Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme ndaj jush. Zemërim dhe protestë, protestë dhe revoltë”, – theksoi Berisha.

Lideri i opozitës, denoncoi se krimi i organizuar shtrihet në të gjitha institucionet e shteti në Shqipëri. “Çdo ditë në shpirtin dhe zemrën e shqiptarëve zien më e fuqishme revolta ndaj këtij regjimi të pashpirt, ndaj këtij regjimi që vjedh, plaçkit, dhunon dhe përzë shqiptarët. Çdo ditë e më e madhe bëhet vendosmëria e shqiptarëve për përballjen finale, për betejën pa kthim, betejën e pandalshme gjer në fitoren e opozitës. Krimi shtrihet për fat të keq në të gjitha institucionet e narkoshtetit shqiptar”,-theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.