MENU
klinika

"Ky nuk është një hap në drejtimin e duhur!"

Votimi në Kuvend për mandatin e Xhaçkës, reagon BE

13.09.2024 - 14:48

“Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”. Këtë përgjigje i dha A2 CNN delegacioni i Bashkimti Europian në Tiranë për votimin i djeshëm në Kuvend për mandatin e Olta Xhaçkës.

Në reagimin e tij delegacioni i BE shpreh për A2 shqetësimin për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar nga Parlamenti.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023)”, reagon BE

Më tej në reagim thuhet: “Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”.

Kujtojmë se maxhoranca socialiste mbrojti sërish me votë kolegen Olta Xhaçka duke mos miratuar mocionin e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Kushtetuese të kërkesës për papajtueshmëri mandati.