Zgjedhjet e vitit 2025 do të jenë me gjasa të fundit sa i përket karrierës politike për liderin e Partisë Demokratike. Sali Berisha po përballet me një padi nga SPAK-u nën akuzën për korrupsion pasiv, ku i duhet të merret pak kohë më vonë edhe me një çështje gjyqësore. Nisur nga masa e arrestit, hamendësohet se gjyqi do kërkojë kohë. Ndërkohë mosha e tij biologjike, strukturat e reja te opozita, zhvillimet brenda PD-së, e mbi të gjitha interesat e grupeve nuk do ja mundësojnë dot angazhimin e duhur. E para sepse çështja para Drejtësisë është shumë e koklavitur dhe ndërkohë nuk kanë marrë jetë dosje të tjera si “21 Janari”, ashtu si ato që lidhen me kohën e drejtimit të tij. E dyta, sepse në çfarëdo situate, qoftë humbje apo fitore, realisht Berishën nuk e duan realisht. Gjithkush do interesin e tij dhe kjo është koha që përshtatet me servilizmin ndaj tij. Emrat janë përballë. Këtë e ndjen indirekt nga protagonizmi i shumë njerëzve të PD-së, në këtë rast drejtuesve të qarqeve që për interesa nuk kanë as një kut moral; ashtu si kauza e mbështetjes nga karta zyrtare ndërkombëtare, ku emri i Berishës përshfaq probleme. Vetë lideri historik i Partisë Demokratike e di mirë këtë situatë, njeh shumë mirë thelbin e militantit të PD-së, ashtu si protagonizmin e një pjese të tyre. Ndaj i luan si kukulla. E di se edhe imitimi, që i bëjnë deri tek gjestet, është fryt i mungesës së individualiteteve, pikërisht atë që ai nuk do e linte asnjëherë të lulëzonte. Kjo e ka zbehur mënyrën e përshtatjes dhe gjetjen e formave të drejtuesve të PD-së për t’u përfshirë si duhet më shumë në publik. Ky i fundit, i asfiksuar nga aferat e frikshme të pushtetarëve të sotëm; korrupsionin e njerëzve të lidhur me pushtetin e Socialistëve deri në masë të paimagjinueshme; i lodhur nga e njëjta retorikë në opozitë; i neveritur nga paktet PD-PS nuk mund ta konceptojë dot më udhën e drejtë dhe alternativën. Ndërkohë energjia më e madhe e njerëzve dhe e besnikëve rreth e rrotull PD-së është sesi të artikulojnë ndaj SPAK-ut, ku masa e akuzave të ngritura prej tyre ende nuk e kënaq dot panginjen e publikut të përgjithshëm për të parë njerëz pas hekurave. Ka të ngjarë, se një masë e madhe që do kënaqet në të ardhmen për dënimin e Berishës, do jetë pikërisht prej këtyre kinse militantëve. Kurse ata që kanë përfituar do e ndërrojnë shpejt fletën. 8 Janari është ende gjallë dhe “dashuria e madhe” për PD-në, kurse fryma që kërkon publiku është ende një puhizë e lehtë, ngaqë zhgënjimi më i madh janë vetë drejtuesit për bazën sakrifikuese të PD-së. Gënjyer prej liderve të tyre, marrë nëpër këmbë nga njerëz që janë pasuruar pafund, pa shpresë prej riciklimit të po të njëjtëve, ata thjesht rrinë e vështrojnë…dhe mbushin numrat. Postulati demokratik për liderët e këqinj se krijojnë thjesht ndjekës, porse të mirë krijojnë liderë të së ardhmes është forma më e mirë për të kuptuar se PD-ja mendon ngushtë për interesa dhe jo shpresën, që publiku e mban prej vitesh për ndryshimin e mezipritshëm. Për Berishën do mendojnë dhe pak muaj në këto zgjedhje dhe ai vetë e di mirë, ndërsa pakkush te PD-ja i intereson publiku, përderisa të jetë në lista.