Rio Sherri, ekspert sigurie, i ftuar në një studio televizive, u shpreh se sulmet kibernetike kryhen në masë dhe se nuk përzgjidhen persona të caktuar.
Sipas Sherrit, sulmet përmes e-mail-eve janë bërë më të sofistikuara dhe të besueshme pasi dhe teknologjia ka avancuar shumë.
“Zakonisht nuk ka përzgjedhje është diçka që bëhet në masë dhe në bazë të asaj se kush person bie pre e atij sulmi. Se ata mund të çojnë 1 mijë mesazhe. Mund të pretendojnë se janë nga Posta Shqiptare. Nga 1 mijë persona, 900 prej tyre mund të mos presin postë, por 100 të tjerët po.
Nuk kërkon shpejtësi, por njohuri. Sulmi ndodh për shkak të manipulimit që i ndodh personit. Personi kur merr e-mail, mendon se ai ka dërguar banka, dhe ata e bëjnë të sofistikuar. Më parë kuptoheshin sulmet, ndërsa tani ka metoda më të mira.”
Sherri tha se qytetarët duhen të tregohen të kujdesshëm në momentin që u vijnë mesazhe të caktuara.
“Shumica e sulmeve nuk është ndaj përdoruesve të thjeshtë. Janë sulme që kryen në masë.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, duhet të kuptojnë kur diçka nuk bën sens.
Duhet të përdoren fjalëkalime të forta, duhet të përdoret identifikim me disa hapa.”
Sipas Sherrit bankat janë ndër institucionet më të targetuara nga sulmet kibernetike.
“Bankat ndoshta janë institucionet më të targetuara, pas qeverisë, por kanë qenë një hap më para sa i përket sigurisë.”