Udhëheqës nga mbarë bota ndër ta edhe kryeministri Rama do të marrin pjesë në takimin vjetor të Kombeve të Bashkuara që fillon punimet këtë të diele në Nju Jork. Në këtë takim do të trajtohen çështjet më të mprehta që po kalon bota, mes tyre luftërat në Gazë, Sudan dhe Ukrainë.
Krahas Asamblesë së Përgjithshme do të mbahet edhe një samit për të ardhmen që synon reformimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e sfidave të reja, përfshirë ndryshimet klimatike dhe inteligjencën artificiale.
Ndërkohë që kryeministri shqiptar ka planifikuar krahas takimeve me homologë edhe pjesmarrjen në takimin me liderët e rajonit i organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane në largim Joseph Borrell. Një takim të veçantë Rama do të ketë edhe me presidenten e rizgjedhur të PE-së Roberta Metsola.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti palestinez Mahmoud Abbas pritet gjithashtu të marrin pjesë në takim. Paqja mbetet shumë larg ndërsa kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.
Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit për Ukrainën të martën dhe më pas në Asamblenë e Përgjithshme, Presidenti Zelenskyy pritet të theksojë nevojën për më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe armë me rreze të gjatë veprimi.Presidenti Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në takim por do të dërgojë kryediplomatin Sergey Lavrov.
Për Presidentin amerikan Joe Biden ky është takimi i fundit në OKB. Pas dy tentativave për atentat ndaj ish-Presidentit Donald Trump, shtrohet pyetja nëse Shtetet e Bashkuara mund të garantojnë sigurinë e më shumë se 130 udhëheqësve që do të vijnë në qytetin e Nju Jorkut.
Kudo aty ka prezencë policiore. Sigurimi Diplomatik i Kombeve të Bashkuara po mbështet Shërbimin Sekret për të ofruar siguri për të gjithë krerët e shteteve në tokën amerikane.