Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka folur në lidhje me rastin e transportit të mbetjeve toksike, gjatë një interviste në emisionin ‘Kjo Javë’ në News 24.
Kumbaro shpjegoi se të gjitha subjektet prodhojnë mbetje dhe janë të pajisura me leje mjedisore ku kanë të përcaktuara sesi duhet të menaxhohen ato mbetje.
“Unë nuk shoh me shqetësim masiviteten e lajmit, unë ndjek me shqetësim punën tonë në të përditshme në sektorin e ndotjeve dhe mos ndotjeve në mjedis. Fakti që e bëjmë këtë punë përditë nuk përmban lajm. Të gjithë sektorët e bizneseve, është normale që të krijojnë mbetje. Por këto mbetje menaxhohen nga subjekti brenda rregullave të caktuara dhe pajisen me një dokument në momentin që hapin biznesin e tyre. Në lejen mjedisore janë të përcaktuara kushtet dhe modeli është europian.
Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike. Mbetjet e rrezikshme mund të jenë si p.sh. ato të çelikut, magazinohen, grumbullohen, rikuperohen, përpunohen, asgjësohen dhe mund të eksportohen. E rëndësishme është të bëhen sipas lejes mjedisore”, tha Kumbaro.
Për rastin e kompanisë Sokolaj, ministrja tha se ka marrë licencën në vitin 2022 sipas ligjit, por nuk ka bërë kërkesë për një kod unik që e bën të gjurmueshëm.
“Fakti që merrni një licencë nuk ju bën automatikisht të ligjshëm, sepse duhet pajisur me një kod unik për tu bërë u gjurmueshëm.Subjekti në fjalë nuk e ka bërë dhe kjo nuk mjafton për të eksportuar mbetje. Eksporti është aktivitet i ligjshëm, por duhet kodi unik dhe një dosje komplekse me të dhëna përfshirë dhe analizën e mallit”, tha ajo.
Më tej shtoi se në kontejnerë nuk dihet ende çfarë mbetjesh ka. “Duhet të presim me durim rezultatin e organeve inspektuese dhe hetimore, për të mbërritur në një konkluzion përfundimtar çfarë ka në kontejnerë dhe çfarë hapash duhet të ndiqen”, tha Kumbaro.
“Kompania Sokolaj e ka marrë licencën në 2022 sipas ligjit. Fakti që merrni një licencë nuk ju bën automatikisht të ligjshëm, sepse duhet pajisur me një kod unik për tu bërë u gjurmueshëm. Subjekti në fjalë nuk e ka bërë dhe kjo nuk mjafton për të eksportuar mbetje. Eksporti është aktivitet i ligjshëm, por duhet kodi unik dhe një dosje komplekse me të dhëna përfshirë dhe analizën e mallit. Autorizime të tilla japim disa herë në vit, sepse tregu i shit-blerjes së mbetje është si një bursë ndërkombëtare.
Të gjitha janë të mundura nëse respektohet ligji dhe rregulli. Kompania në fjalë nuk është e pajisur me një autorizim eksporti, nuk ka bërë kërkesë për të eksportuar mbetje, nuk ka bërë deklarim të eksportit. Malli dhe mbetjet kanë mënyra të ndryshme sesi trajtohen. Që në momentin e parë që kemi indicie, kemi ngritur një grup pune dhe jemi në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit duke i vënë në dispozicion të gjitha informacionet. Në fund të procesit, organi i drejtësisë do të vendosë. Flitet për mbetje por nuk e dimë se çfarë kanë kontejnerët. Duhet të presim me durim rezultatin e organeve inspektuese dhe hetimore, për të mbërritur në një konkluzion përfundimtar çfarë ka në kontejnerë dhe çfarë hapash duhet të ndiqen”, tha Kumbaro.