Faqen e parë të New York Times të plotë nuk e kemi zënë dot, as kur jemi bërë shtet i pavarur, as kur jemi pushtuar. Herë pas here kemi kapur ndonjë titull në faqe të parë, siç ka qenë shkrimi për Gërdecin me 11 autorë, por jo gjithë faqen e parë si sot.
Përpjekja për të krijuar një “Urdhër bektashian” sovran, duket se ka marrë më shumë pëlqime nga sa pritej në botë, me sa duket nga lodhja që bota ka konfliktet fetare, se sa nga qartësia që kanë për këtë çështje.
Në themel të fabulës është bashkëjetesa fetare në Shqipëri, ose më mirë të themi mungesa e konflikteve.
Nga gjithë besimtarët shqiptarë, bektashinjtë janë padyshim më tolerantët, pasi historia e të cilëve, bazohet pikërisht mbi bashkëjetesën mes feve. Bazën e këtij urdhri, e kanë pas fuqizuar fëmijët kristianë, të rrëmbyer nga ushtria osmane, të cilët në procesin e konvertimit në mysliman, kanë gjetur tek ky sekt, lehtësinë për tu quajtur myslimanë.
Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, prodhoi më pas “identitetin” shqiptar të këtij sekti, përmes Fletores së Bektashinjve, duke fuqizuar mite, legjenda dhe praktika të tyre, si të lidhura me shqiptarët, aq sa ka bërë ta përjetojmë si real fluturimin e Abaz Aliut nga Qerbeleja në Malin e Tomorit me kalë. Madje tani kemi “mundësi” të tregojmë dhe “gjurmën e kalit”.
Për këtë arsye, brenda myslimanëve shqiptarë, sidomos nga regjistrimet e kohës së komunizmit, bektashinjtë shfaqen si shumicë brenda myslimanëve shqiptarë. Përjashto qytet kryesore të Shqipërisë, ku administrata osmane ka diktuar besimin islam sunni, që i identifikon me ndjekjen e rrugës së Profetit Muhamet, ndërsa fshatrat e jugut të Shqipërisë, përfshi Labërinë, Toskërinë, Skraparin, Kolonjën Korçën, dhe në veri, deri në Krujë, Mat e Dibër janë bektashinj, që burojnë nga besimi Shia që i identifikon ata si ndjekës të Aliut.
Por kjo tregon më shumë faktin që shqiptarët nuk përqafuan islamin tradicional, se sa faktin që ata kanë lindur për të qenë bektashi, një sekt liberal që rrjedh nga Shia, i cili në vetvete ka shumë sekte radikale nga ato që shkaktojnë gjakderdhje në botë, përfshi regjimin e Iranit.
Deri këtu gjithçka ka qenë çështje e përshtatjes fetare.
Tani kjo që po ndodh është çështje politike. Krijimi i një urdhri bektashi sovran brenda Shqipërisë, nuk është ndonjë gjë më shumë, se sa kanë realisht bektashinjtë shqiptarë.
Ata janë sovran në administrimin e pronave të tyre, aq sovran sa ne procesin e transformimit të tyre shpesh kanë dalë si pasardhës teqesh edhe ortodoks nga Jugu, apo sunni nga Tropoja.
Po ashtu e kanë të zgjidhur dhe mënyrën e financimit, më mirë se komunitete të tjera fetare, pasi operojnë përmes ditëve të shenjta të çdo teqeje përmes pelegrinazheve ku besimtarët dhurojnë .
Aktualisht besimtarët bektashinj janë të vetmit që dhurojnë për fenë e tyre në Shqipëri, pasi teqetë janë të lidhura me besëtytninë e vendit të mirë, dhe fuqisë së mbinatyrshme për të dëgjuar hallet e tyre. Ato e “tokëzojnë” zotin, duke e mishëruar atë tek një ndërtesë, një tyrbe, apo një vend i shenjtë dhe e lidhin atë gjithmonë me një autoritet të gjallë ose që ka qenë gjallë në atë vend, si një person i shquar.
Prandaj në rrugën drejt një urdhri “bektashi” sovran, nuk ka shumë gjëra për tu bërë përveç publicitetit dhe ndonjë arkitekturë e mirë e selisë së tyre, meqë kemi nëpër këmbë dhe arkitekt të huaj, dhe një seriozitet më i madh në evidentimin e faktit që bektashinjtë shqiptarë nuk janë shpikje politike, por produkti më paqësor i konfliktit mes Islamit dhe kristianizmit prej 7 shekuj. Nuk kanë lidhje me disa tarikate të tjera që kanë Teqe dhe Dervish, pasi ata janë sekte radikale, por shpesh i ngatërrojnë me bektashi.
Bektashinjtë janë zhvendosur me seli në Shqipëri, pasi Turqia vendosi të bëjë reformat ë shtetit laik nën udhëheqjen e Ataturkut në vitet 20 të shekullit kaluar, meqë i pari i tyre në atë kohë ishte me origjinë shqiptare dhe Mbreti Zog u tregua bujar për ta strehuar dhe mbështetur sektin e tyre.
Kur SHBA pushtoi Irakun në vitin 2003, dhe u përballë papritur me konfliktin e përgjakshëm mes Sunni e Shia, një studiuese amerikane trazoi botën duke folur për Baba Rexhepin dhe Teqen e tij të madhe në Detroit si një sekt tolerant SHIA që bashkjeton me Sunni. U dyndën në Shqipëri dhjetëra analistë të CIA, morën Baba Reshatin në dreka e darka bashkë me njerëz të shoqërisë civile të kuptonin si ja dilnin bektashinjtë tanë ta bënin këtë. Baba Reshati ishte shumë i çuditur nga gjithë kjo rendësi e papritur dhe i qetësonte se “Zoti do ta bëjë mirë”. Që atëherë kjo hera e dytë që bektashizmi ynë po trazon botën.
Por mos prisni të ketë një ekspozitë tolerance apo bashkëjetesë në territorin e tyre. Nuk do ketë një supermarket bektashinjsh ku mund të shkoni të bleni tolerancën, apo një kinema ku do ta shikoni atë në Shkozë.
Bektashizmi e ka demonstruar këtë në shoqërinë shqiptare me shekuj. Aq humor ka në zonat e jugut për bashkëjetesën mes ortodoksëve dhe bektashinjve saqë ka disa legjenda ku dervishët vizatohen si njerëz që mbajnë në çanta dhe rroba prifti kur kalojnë në fshatrat ortodoks ku kalonin. Kjo është thjesht ilustrim i asaj që nuk e kanë marrë seriozisht ndarjen fetare.
Por ai nuk është një komunitet që mund të diktojë bashkëjetesën në komunitete tjera politikisht. Ai nuk mund të zbusë radikalët islamik në Shqipëri, përkundrazi mund t’i tërbojë më shumë, dhe as mund të zbusë frymën bazike të ortodoksëve apo konservatorizmin e katolikëve. Ata thjeshtë mund të demonstrojnë një shembull se si feja nuk mund të gjenerojë konflikte.
Dhe duhet ta pranojmë se në këtë botë të mbushur me kaq shumë paqartësi përse feja prodhon luftra, ata janë një element i pashoq publiciteti. Faqja e parë e New York Times sot, e tregon këtë. Por nuk tregon më asgjë më shumë se kaq. As ne nuk tregojmë më shumë se kaq sa jemi tolerant fetarë.