Nga java e 5-të deri në javën e 10-të të shtatzënisë, fetusi është shumë i dobët dhe mund të dëmtohet lehtë. Gjatë kësaj kohe, formohen të gjitha organet kryesore dhe dëmtimi i embrionit mund të ketë pasoja të rënda si dhe të shoqërohet me defekte të rënda në lindje. Ndër shkaktarët kryesorë të dëmtimit përfshihen:
Teratogjenet. Te këto substanca të dëmshme përfshihen alkooli, barna të caktuara dhe drogat. Mundohuni t’i shmangni këto substanca.
Infeksionet. Në fazat e para të shtatzënisë, fetusi mund të dëmtohet rëndë nga viruset dhe bakteret e ndryshme. Ai mund t’i marrë infeksionet përmes nënës, por ju ndoshta nuk arrini t’i ndieni apo t’i dalloni simptomat e disa sëmundjeve, të cilat mund të shkaktojnë defekte serioze. Vaksinat dhe imuniteti i trupit ju mbrojnë nga disa infeksione të dëmshme. Gjithsesi, merrni masat e duhura për të shmangur ekspozimin ndaj sëmundjeve, si: lija e dhenve, fruthi, shytat, rubeola apo citomegalovirusi (CMV).
Rrezatimi. Dozat e larta të rrezatimit të jonizuar, si terapia me rreze për të luftuar kancerin, mund ta dëmtojnë fetusin. Nga ana tjetër, niveli i ulët i rrezatimit si ai që përdoret në një radioskopi, në përgjithësi nuk paraqet ndonjë rrezik të konsiderueshëm për të shfaqur ndonjë defekt në lindje. Gjithsesi, kini kujdes. Kur jeni shtatzënë, është mirë që të mos bëni asnjë radioskopi, me përjashtim të rasteve kur është e nevojshme, po ashtu, nuk do t’i nënshtroheni asnjë operacioni apo të merrni mjekime të ndryshme, me përjashtim të rasteve kur është e nevojshme.
Nëse keni një problem të rëndë shëndetësor dhe duhet patjetër të bëni radioskopi, atëherë para se t’i nënshtroheni kësaj procedure, këshillohuni më parë me mjekun.
Ka raste kur radioskopia është më shumë e dobishme sesa e dëmshme, edhe në shtatzëninë e hershme. Mos u alarmoni nëse keni bërë një radioskopi pa ditur se jeni shtatzënë. Ka shumë pak gjasa që fetusi ta ketë marrë atë nivel rrezatimi, i cili mund të shkaktojë probleme.
Kequshqyerja. Nëse vazhdoni të ushqeheni keq edhe gjatë shtatzënisë, mund të dëmtoni foshnjën. Zhvillimi i qelizave të saj mund të preket ndjeshëm, në rast se nuk merrni sasinë e duhur të vitaminave. Megjithatë, embrioni nuk para dëmtohet nga mungesa e kalorive, edhe pse të përzierat dhe të vjellat kufizojnë dozën e tyre ditore. Mos harroni të merrni çdo ditë multivitamina, që përmbajnë të paktën 400 mikrogramë acid folik, falë të cilit ulet rreziku që foshnja të lindë me problemin e spina bifida-s apo defekte të tjera në tubin nervor.