Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër, gjatë periudhës tre mujore qershor-gusht 2024, ka kryer 636 inspektime në subjekte të ndryshme.
Drejtori i këtij institucioni, Ramir Haderi tha në një intervistë televizive, se nga këto kontrolle janë ndëshkuar me masë administrative, gjobë 19 subjekte, për mangësi dokumentacioni dhe datave të skadencës.
“Nga AKU janë kryer 636 inspektime bashkë me institucionet e tjera vendore. Është marrë masa administrative me gjobë për 19 subjekte për mangësi dokumentacioni dhe datave të skadencës”, tha Haderi.
Drejtori i AKU-së, Haderi, deklaron se ka pasur 2 raste të trajtimit me brucelozë në 2 ferma , ku e gjithë gjëja e gjallë është asgjësuar, si dhe masë administrative me gjobë për 8 baxho të përpunimit të qumështit për përdorim të vajit të palmës.
“Kemi pasur dy raste të fermave me brucelozë. Është bërë monitorimi në 33 subjekte baxho të qumështit në qarkun e Shkodrës. Ka pasur 8 baxho për të cilat janë marrë masa administrative për ri etiketim dhe përdorim të vajit të palmës”, shtoi ai.
Në ditët në vijim AKU do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme, ku në fokus do të jenë produktet e mishit dhe qumështit.