MENU
klinika

Nga Mero Baze

Salianji duhet të zhgënjehet nga Berisha, jo nga gjyqtarët

26.09.2024 - 18:55

Ervin Salianji ka një farë të drejte të jetë i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Për katër vite rresht ai ka mundur t’i poshtërojë ata, i ka detyruar të shtyjnë seanca pa fund, ka degraduar çdo standard të gjykimit të një çështje në Apel dhe ka pas gjithë të drejtën e zotit të besonte që më në fund do t’ia dilte.

Mbi të gjitha, ka pas një arsye më tepër që duhet të besonte. Dy nga gjyqtarët e trupit gjykues, ata që po mallkohen sot nga zyrat e SHQUP, janë ato që i dhanë vulën dhe logon e Partisë Demokratike, Sali Berishës, dy muaj më parë.

Vendimi i sotëm, i cili në fakt konfirmon vendimin e Gjykatës së Shkalës së Parë, ka shkaktuar një stuhi sulmesh ndaj po këtyre gjykatësve.

Nuk dua të bëj komente mbi atë që ka bërë Salianji se ajo tani është një çështje e gjykuar nga drejtësia, por me vesin e ndyrë të PD që kur gjyqtarët japin vendime pro tyre janë të pavarur, dhe kur japin vendime kundër tyre janë të varur nga Edi Rama

Të njëjtët gjyqtarë para dy muajsh i kanë dhënë vulën dhe logon Sali Berishës, një vendim i cili në thelb godet të drejtën formale që ka pas Lulzim Basha për të qenë mbajtës i logos dhe vulës së PD, edhe pse e kishte zvogëluar partinë dhe Berisha kishte shumicën reale të PD.

Por askush nuk i sulmoi ata si të blerë nga Berisha kur e morën atë vendim.

Të njëjtët gjyqtarë që sot thjesht konfirmojnë një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, kryqëzohen si njerëz të Edi Ramës.

Atëherë nëse janë njerëz të Edi Ramës, i bie që logon dhe vulën e kanë nga Edi Rama, dhe nëse vazhdojmë me logjikën konspiracioniste idiote të PD, i bie që Rama dhe Berisha kanë bërë pazar për logon e vulën dhe kanë shitur Salianjin.

Natyrisht kjo është një marrëzi ta mendosh, por është një përfundim logjik kur dëgjon sulmet e PD ndaj dy gjyqtarëve.

Ata duhet të zgjedhin nëse kanë marrë kot logon dhe vulën nga këto dy gjyqtarë, apo kanë dënuar kot Salianjin. Ta ndajnë kë kanë më të rëndësishme, logon dhe vulën apo Salianjin. Se jam i sigurtë se në këtë rast vet Salianji si një Lej Fen i vërtetë i PD, do zgjidhte më mirë burgun e tij se sa Berishën pa vulë dhe logo.

Dhe duhet bërë më shumë kujdes kur deklaroni se është i burgosuri i parë politik i 34 viteve. Nuk po them kush është i vërteti dhe i pari, se Fatos Nanon në burg e kemi produkt të Berishës, por së paku brenda PD është Berisha, që ka deklaruar se është i burgosur politik.

Ka dhe bluza me slogan Free Berisha për këtë punë që e ka vesh dhe Salianji.

Thjeshtë tani mund ta korrigjojnë pak dhe ta bëjnë Free Sali-anji.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin