Glacier Express i Zvicrës njihet si treni ekspres më i ngadaltë në botë, ku për të përshkuar 290 kilometra i duhen mbi tetë orë.
Glacier Express që lidh resortet alpine të Zermatt dhe St. Moritz nuk është aspak si trenat e shpejtë që kalojnë me shpejtësi përmes Evropës. Me një shpejtësi mesatare prej 36 km në orë, ai e përmbush reputacionin si “treni ekspres më i ngadaltë në botë”, por kjo shpejtësi qesharake është qëllimisht e tillë.
Udhëtimi me Glacier Express nuk ka të bëjë me arritjen sa më shpejt nga pika A në pikën B; është një udhëtim panoramik përmes zemrës së Alpeve Zvicerane që u lejon udhëtarëve të shijojnë të gjitha mrekullitë natyrore që ky rajon i bukur ka për të ofruar. Vetë treni është i pajisur me dritare të mëdha panoramike që sigurojnë pamje të papenguara të peizazhit mahnitës, duke i lejuar pasagjerët të zhytën plotësisht në bukurinë e Alpeve Zvicerane.
Por, ndërsa ritmi i ngadaltë i Glacier Express lidhet me bukurinë e peizazhit të Alpeve Zvicerane, kjo nuk është e gjithë historia. Rruga malore tepër e bukur kalon nëpër disa nga terrenet më të vështira në kontinentin evropian, përfshirë pjerrësi të forta dhe kthesa të mprehta, që kërkojnë një shpejtësi më të ulët për të siguruar sigurinë dhe komoditetin e pasagjerëve.
Gjatë udhëtimit 8-orësh, treni më i ngadaltë ekspres në botë kalon nëpër një numër tunelesh spirale dhe mbi viadukte të larta – gjithsej 291 ura dhe 91 tunele – dhe ngjitet deri në 2,033 metra mbi nivelin e detit. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se Glacier Express funksionon në shina me gjerësi të ngushtë që nuk janë të përshtatshme për shpejtësi të larta.
Nëse të ulesh në një tren për tetë orë të duket e lodhshme, do të të vijë mirë të dëgjosh se ky tren ekspres është jashtëzakonisht i rehatshëm, me vagonët e Klasit të Parë dhe të Dytë që ofrojnë vende të gjera dhe komode.
Por, nëse po kërkon një përvojë të jashtëzakonshme, mund të dëshirosh të marrësh parasysh Klasin Excellence më të shtrenjtë, ku pasagjerët marrin shërbim me pesë yje, duke përfshirë një vakt me shtatë pjata dhe verëra të zgjedhura.
Është interesante që Alpet Zvicerane janë gjithashtu shtëpia e stacionit të trenit më të lartë në botë, Jungfraujoch.