Kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në tubimin e sotëm është fokusuar sërish tek dënimi politik i Ervin Salianji me 1 vit burgosje, për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Berisha deklaroi se ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë.
Sipas liderit demokrat, Salianji është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën, i cili në vend të burgjeve për të cilat kërkohej si trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë
Berisha deklaroi se Rama ka vendosur të rrëmbejë mandatin e 4-t për herë të parë në historinë e pluralizmit, duke burgosur, persekutuar drejtuesin e opozitë, teksa shtoi më tej se burgosja e Salianjit ndodhi vetëm 2 javë para çeljes së negociatave me BE-në.
Gjithashtu, Berisha iu bëri thirrje edhe shqiptarëve që të ngrihen në protestë.
Sali Berisha: Një përshëndetje të përzemërt t’i dërgojmë ne deputetit, n/kryetarit të grupit parlamentar, Ervin Salianjit. Që është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën, i cili në vend të burgjeve për të cilat kërkohej si trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë, drejtonte nga Vlora nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës trafiqë droge dhe trafiqe të tjera kriminale.
Ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë.
Burgosja e n/kryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji nuk erdhi në këtë regjim si rrufe në qiell të hapur. Jo, erdhi përkundrazi, si një akt kriminal i shëmtuar i përpjekjeve makabre të mafies shqiptare e ndërkombëtare për një Shqipëri pa opozitë, për nëj Shqipëri parajsë të krimit, për një Shqipëri të zbrazur nga shqiptarët.
Regjimi i Edi Ramës ka vendosur të rrëmbejë mandatin e 4-t për herë të parë në historinë e pluralizmit, duke burgosur, persekutuar drejtuesin e opozitës, sepse përndryshe Edi Rama dhe organizata kriminale që i drejton e ka të qartë se nuk mund të marrë kurrë mandat të ri. E ka të qartë se për krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve, për vjedhjet e tij që rrokin qiellin, për gjenocidin që ka kryer kundër shqiptarëve ai do dënohet me veprat më të rënda penale.
Bastardi i xhelatëve bllokmenë, i kthyer në narkodiktator arreston, burgos kundërshtarët politikë vetëm dy javë para çeljes së negociatave në BE, për t’i dëshmuar kështu shqiptarëve dhe europianëve se negociatat po çelen me Lukashenkon e Bjellorusisë, me diktatorin e Taxhikistanit, me diktatorin e Turkmenistanit, i cili nuk ka normë, nuk ka ligj që respekton përveç urrejtjes atërore ndaj opozitës, mbajtjes më çdo kusht të pushtetit të tij.
Opozita sot është në këmbë. Opozita sot është më e fuqishme, më e vendosur se kurrë për t’i dhënë përgjigjen që meriton Edi Rama.
Edi Rama e dinte se ora e betejës vendimtare po afronte. E dinte se opozita kishte vendosur të ngrihej në një betejë vendimtare, në një betejë pa kthim, në një betejë të pandalshme për krijimin e qeverisë teknike, për zgjedhje të lira, rotacionin e pushtetit, fitoren e opozitës.
Pikërisht në këtë moment ai zgjodhi dënimin me burg të Ervin Salianjit, sepse provoi lidhjet e shtetit me drogën, lidhjet e Edi Ramës dhe të Fatmir Xhafës, Olsi Ramës me Gerondin që drejtonte traafiqet dhe lojërat e fatit nga Vlora, dhe që mbanin për Olsin dhe Gerondin vëllezërit kriminelë në pushtet 8 muaj pa votuar ligjin për lojërat e fatit. Sepse, jo interesat e qytetarëve, por interesat kriminale të vëllezërve të tyre sundonin mbi parlamentin, mbi ligjin.
Fillimi i protestave të opozitës në ditët e para të tetorit është fillimi i fundit të narkoregjimit, është fillimi i fitores të opozitës së vërtetë mbi regjimin antishqiptar të krimit, drogës dhe vjedhjes së qytetarëve. Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, iu bëj thirrje të gjithë opozitarëve të bashkohemi në këtë betejë.
Beteja për qeverinë teknike, beteja kundër terrorit dhe dhunës ndaj opozitës. Është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari të ndershëm. Është betejë për interesin kombëtar të shqiptarëve, betejë për interesin e Shqipërisë.
Shqipëria me burgje politike. Shqipëria me të burgosur politikë. Shqipëria me farsë elektorale. Shqipëria me drejtësi të kontrolluar nga diktatori. Shqipëria e qytetarëve të plaçkitur gjer në palcë nga regjimi. Shqipëria e kodeve mafioze. Është Shqipëri jo e shqiptarëve. Është Shqipëria, jo vend i bekuar i tyre, por vend i mallkuar i tyre.
Ndaj kush e ndien veten shqiptar të bashkohemi me guxim. Guximtare dhe guximtarë është koha juaj, është ora juaj, është ora e fitores, e shqiptarëve. Ndaj dhe ke të ngrihemi ne si viganë, le t’i dëshmojmë Europës dhe mbarë botës se para se të votojmë me duart tona, do të votojmë me gjokset tona, do të votojmë me këmbët tona, do të votojmë me guximin tonë, do të votojmë me triumfin tonë, do të votojmë me fitoren tonë.