MENU
klinika

Nga Mero Baze

Një betejë lotësh, qurrash dhe pafytyrësie për Salianjin

27.09.2024 - 21:40

Mënyra se si grupi parlamentar i PD dhe plot figura publike të medias reaguan ndaj vendimit për Ervin Salianjin, zbulon keqpërdorimin publik të mediave në Shqipëri për interesa private dhe dyfytyrësinë që deputetë të PD kanë treguar me Berishën dhe opinionin public, kur deklaronin se ndaheshin prej tij për qëndrimet ndaj drejtësisë.

Kur një politikan dënohet me burg, ka plot njerëz që gëzohen që ai do të vuajë dënimin dhe plot të tjerë, ndoshta më shumë se ata, që nuk është se ja dëshirojnë nga ana njerëzore dikujt vuajtjen në burg.

Personalisht jam për ndëshkimin e politikanëve, për të zhdukur pandëshkueshmërinë, por nuk jam partizan i vuajtjeve me burg, pasi drejtësia ndaj tyre në vetvete nuk ka qëllim shkaktimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve, por mbrojtjen e interesit publik dhe higjenën e klasës politike, nga ata që e bëjnë pis atë.

Përtej anës njerëzore, media nuk është shtëpi funerale ku priten ngushëllime, apo ku demonstrohen lidhjet personale me viktimat e drejtësisë, por është institucion publik që në parim mbron interesin publik.

Ajo që ndodhi dje në mbrëmje me Ervin Salianjin, sidomos në studion e Top Channel-it, por dhe në studiot e tjera ku pritej e përcillej me lot sikur po e çonin “nizam”, është një turp.

Është një turp së pari, se është një akt selektiv, që buron nga lidhjet klienteliste të medias dhe jo nga detyra e saj. Ka plot politikanë që kanë shkuar në burg pasi kanë dhënë intervistën e fundit në televizione, por nuk ka pasur kurrë një turp të tillë publik, ku drejtues emocionesh dhe panelistë, lotojnë si aktorë për një të dënuar nga drejtësia, të kompleksuar nga lidhjet personale me të apo nga raportet njerëzore.

Të gjithë janë intervistuar dhe mund të kenë qarë vet, pasi nuk është e lehtë të shkosh në burg, por jo drejtuesit e emisioneve apo pjesëmarrësit në të.

Në krye të kësaj shëmtie qëndroi Top Channel-i dhe Grida Dume, e cila gjeti rastin që pas 5 vitesh të na lajmërojë që e ka Ervin Salianjin, bashkërrugëtar dhe të mos guxonte njeri pas kësaj të thoshte që ai është dënuar për manipulim dhe falsifikim provash, se kishte punë me të, se “ajo e njihte mirë”. A thua se atë e kishin dënuar se ka gabuar me shoqen e rrugës. Në fakt nuk e sfidoi askush, por zunë të gjithë kush të qante më shumë se ajo për bashkërrugëtarin.

Në çdo studio televizive në botë ajo nuk e shikonte më derën e televizionit. Madje po të kishte pak etikë, as dje nuk duhet të ishte në atë studio për konflikt interesi, por etika nuk është një lule që mbin “në lëkurën e saj”, siç kishte qejf ta përmendte vazhdimisht.

Publiku shqiptar nuk ka ndonjë interes kë ka bashkërrugëtar Grida Dume, por çfarë ka bërë deputeti Ervin Salianji. Me kë takohet rrugës nuk i hyn në punë njeriu.

Debati publik nuk është se po i heqin shokun e rrugës Gridës, apo shoqen e rrugës Salianjit, por po i heqin atij lirinë për një akt që drejtësia e konsideron vepër penale në dy shkallë gjykimi.

Përpjekja për të devijuar debatin nga rruga e gabuar e Salianjit për t’u bërë politikan përmes keqpërdorimit ekstrem nga shefat e tij, tek mbetja e Gridës një vit pa shok rruge, është një banalitet që vetëm në televizionet shqiptare mund të shfaqet.

Akoma dhe më e rëndë është përpjekja për të ngritur fabulën e viktimizimit të të dënuarit të drejtësisë, si një mënyrë për t’u ringritur në politikë dhe për tu lartësuar në të ardhmen.

Disa prej panelistëve në përpjekje për t’i pushuar lotët Gridës dhe për t’iu servilosur të dënuarit, filluan t’i mbushin mendjen se ai do të jetë kryetar i ardhshëm i PD dhe tani ai ka një perspektivë të shkëlqyer politike. Dhe kjo ka të bëjë me mentalitetin e PD si një parti që përpiqet të ngrejë historinë mbi humbjet e saj.

Partia Demokratike po vuan pikërisht nga fakti që ka një kryetar partie të ndëshkuar ndërkombëtarisht nga dy prej shteteve më të mëdha të botës demokratike, që e konsiderojnë “non grata” familjarisht, të korruptuar dhe minues të demokracisë.

Është kjo arsyeja që ajo parti nuk ngre dot kokën, vetëm se nuk shkëputet dot nga një i dënuar ndërkombëtarisht, dhe tani ndoshta dhe kombëtarisht.

Tani kjo konkurrenca për kryetar me një të dënuar tjetër është fyerje për demokratët e thjeshtë, të cilët janë njerëz të lirë dhe nuk ka pse të mallkohen që gjithë jetën të shkojnë pas një të dënuari.

Se pas kësaj do të kalojmë tek konkurrenca mes hajdutëve, falsifikatorëve apo vrasësve në krye të një partie dhe ndoshta nuk i takon Salianjit për kryetar, se ai vetëm falsifikme ka bërë. Ka të tjerë që kanë vrarë, të tjerë që kanë vjedhur, madje dhe të tjerë që kanë vrarë për të vjedhur si Shkëlzeni. Mos e quani garë të lehtë këtë, se dhe aty ka konkurrencë. Por mos e zhysni PD në një kënetë për ta mallkuar si parti që duhet të udhëhiqet doemos nga burgaxhinj.

Dhe kur shikoje se vetëm në këtë moment Gridës i qetësohej mimika dhe ndjehej më mirë, dukej sikur ajo që aty i kishte shpallur luftë në emër të bashkërrugëtarit të saj, një tjetër familjeje të dënuar në krye të PD, ngujuar në ballkon.

Dhe së fundmi, sjellja e grupit të PD ndaj dënimit të Salianjit, nuk ka të bëjë fare me diversitetin që ata kanë pasur si alibi kundër Berishës lidhur me qëndrimin ndaj drejtësisë. Për një kohë të gjatë dhe madje dhe tani, disa prej tyre vazhdojnë të thonë se jemi bashkuar në diversitet me Berishën, se disa prej tyre nuk e pranojnë sulmin ndaj drejtësisë.

Ata në fakt ishin të parët që në rastin e Salianjit kanë bërë fyerje ndaj drejtësisë, presione direkt duke marrë pjesë në seanca si gardistët e 21 janarit, dhe shantazhe publike ndaj trupës gjykuese, që në fakt për turp, mezi mbaroi një çështje për katër vjet, falë këtyre presioneve.

Kjo tregon se ata nuk janë parimorë ndaj drejtësisë dhe as ndaj Sali Berishës. Ata e paskan çështje klanesh. Meqë Berishën nuk e duan, bëjnë sikur duan drejtësinë, por kur vjen puna tek Salianji, duan Salianjin dhe jo drejtësinë. Gazmend Bardhi që ka qenë simbol i këtij qëndrimi, propozoi që Salianji të ngujohej e mos t’i dorëzohej drejtësisë, dhe shau me libër shtëpie gjyqtarët që dy muaj më parë ishte gati t’i puthte pse i dhanë vulën dhe logon. D.m.th donte t’i hiqe me ketë rast Berishës dhe penxheren duke krijuar dhe penxheren e Salianjit tek SHQUP.

Edhe një si gjoja vlerë që ata pretendonin që kishin ndryshe nga Berisha, treguan se janë më të këqinj se Berisha, se ai së paku e bën të mbrojë veten, kurse këta treguan se Berishës ja kanë me hile, por drejtësisë edhe më shumë akoma.

Dhe më dinjitar nga këta është vet Sali Berisha dhe pastaj dhe vet Salianji. Atë e justifikoj të bëjë çfarë mundet për të forcuar profilin e tij publik dhe për t’u viktimizuar se në fund të fundit do shkojë në burg, por këta që duan të rregullojnë historinë e tyre duke qarë herë për Saliun e herë për Salianjin, dhe akoma më keq këta panelistët që duan t’i hynë në zemër Gridës, e kthyen një ndëshkim nga drejtësia, në një paradë lotësh, qurrash dhe qurravecësh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin