MENU
klinika

Ekspertët për VOA

“Mungojnë masat ligjore për fushatat zgjedhore online në Shqipëri”

01.10.2024 - 21:00

Këto komente zoti Celibashi i bëri gjatë fjalës në konferencën e Qendrës për Zbatimin e Ligjit dhe Institutit International IDEA, ku ekspertët kërkuan të parandalohen fushatat joetike online, fjalimet fyese me gjuhë urrejtje, të shmanget informimi i pasaktë i votuesve, përdorimi i llogarive të rreme online dhe të bëhet transparencë mbi financimet e fushatave online.

Por ekspertë të pavarur ende mbeten skeptikë për këto hapa. Drejtuesja e Open Data Aranita Brahaj thotë për Zërin e Amerikës se publikimi online i përmbajtjeve të pavërteta dhe diskriminuese më shumë se sa rregullim institucional do të kërkojë një rregullim mbi verifikimin e fakteve.

Ajo tha që nëse në kohë reale njerëzit që ndjekin fushatat zgjedhore dhe raportojnë mbi problematikat, disiformimin dhe faktet e gabuara, do të ishte një rrugë suksesi dhe do ta ndihmonte publikun që në kohë reale ai të merrte edhe kundërfaktet.

“Mendoj që vendi do të vazhdojë të mbetet nën problematika të theksuara që kanë të bëjnë me terrenin zgjedhor, pra me veprimtari në çdo zonë ku ka zgjedhës, ose ndryshe, me fenomenin “Patronazhist”, i cili nuk është vetëm fenomeni i pasjes së informacionit potencial mbi zgjedhës të caktuar, por edhe veprimi me influencë, i veprimit me pazare elektrale, me blerje elektorale ndaj votuesve që ndodhen në territorin e Shqipërisë ose të zhvendosur në Diasporë, por me lidhje interesash, lidhje ekonomike, familjare shumë të ngushta me terrenin e tyre”, tha zonja Brahaj.

Kosova nga ana tjetër falë ndryshimeve ligjore, po përgatitet të kryejë një vëzhgim më të mirë të fushatave zgjedhore në rtv, portale dhe rrjete sociale, si dhe në aspektin financiar të tyre, kjo e fundit me mbështetjen e UNDP-së përmes një platforme online, një sfidë e re që vjen për herë të parë në zgjedhjet e shkurtit dhe tetor të vitit të ardhshëm.

“Me një rregullore të re janë rregulluar të drejtat dhe obligimet e subjekteve politike gjatë tubimeve e në fushatën e zgjedhjeve, kontributet, ndalimin e ndihmave financiare, deklarimin financiar të fushatës së zgjedhjeve, procedurat e monitorimit të fushatës së zgjedhjeve nga Zyra për Regjistrim, Çertifikim, Kontroll Financiar, monitorimi i fushatës nga Këshilli I Pavarur për Media”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Ndërsa në Shqipëri ende kërkohen modele etike, ndërsa vendi aspiron të bëhet pjesë e BE-së, dhe veprimtarët ende nxitin partitë për të bërë këto premtime përballë një situate me krime zgjedhore dhe militantë partiakë të gatshëm për shkelje, thotë zonja Brahaj.

“Mos harrojmë që Shqipëria është vendi ku shtabe elektorale edhe financohen nga krimi i organizuar, ku përveç financimit të partive politike, kemi edhe financim të krimeve zgjedhore, Shqipëria është vendi ku influenca është edhe një marrëveshje mes grupeve kriminale dhe klasës politike. Këto po dalin si çështje edhe nga hetimet e SPAK-ut, që po adresohen drejt gjykatës. Ky terren kaq i vështirë meriton një monitorim, një vëzhgim dhe ndërhyrje në të gjithë ciklin zgjedhor, duke pasur vëmendje si ndaj terrenit ashtu edhe krimeve në hapësirën virtuale digjitale”, tha zonja Brahaj.

Disa masa të marra nga KQZ deri tani në këtë fushë vlerësohen si të pamjaftueshme, ndërsa vetërregullimi nuk ka dhënë rezultate në Shqipëri as në procese zgjedhore, as në procese të tjera, ndaj zgjidhja mbetet tek ndryshimet ligjore që të parashikohet përdorimi I teknologjive të reja në fushata zgedhore.