MENU
klinika

Zbardhet vendimi

Ilir Proda emërohet zyrtarisht Drejtor i Policisë së Shtetit

02.10.2024 - 13:20

Ilir Proda është emëruar zyrtarisht Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimi u mor sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe u lajmi bë i ditur nga ministri i Brendshëm pas mbledhjes së qeverisë në një komunikim për mediat.

“Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Ilir Proda. Pas një konkurrimi mbi më shumë se 10 drejtuesish të lartë policie dhe verifikimet e bëra nëpërmjet procesit të pastërtisë së figurës së kandidatëve, kandidati i cili sot u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë do të jetë në krye të Policisë së Shtetit”, tha ministri Hoxha.

Ilir Proda u propozua për drejtor të Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ditën e hënë më 30 Shtator 2024. Propozimi ju dërgua Kryeministrit për të vendosur firmën përfundimtare.

Ilir Proda 41 vjeç u zgjodh nga lista mes 5 kandidatëve me pikët më të larta që ishin në garë për kryepolic.

Proda do të pasojë në këtë detyrë Muhamet Rrumbullakun.

Ilir Proda ka një karrierë 19-vjeçare në Policinë e Shtetit. Në vitin 2002 ai nisi studimet në Akademinë e Sigurisë, deri në vitin 2005, kohë kur u emërua specialist pranë Komisariatit 3 në Tiranë, ku qëndroi për 6 vite. Më pas karriera e tij ka vijuar në disa komisariate, struktura hetimore dhe disa drejtori qarqesh.

Në to ka shërbyer si specialist, shef komisariati apo zëvendësdrejtor. Pozicion që e ka mbajtur deri në Mars të 2023, kur u emërua në krye të Policisë së Elbasanit. Kjo ishte hera e parë pas ndryshimeve ligjore që kreu i Policisë së Shtetit u zgjodh me garë të hapur.