MENU
klinika

Java e Kulturës Gjermane

Çelet ekspozita “City X – Unë, Tiranë”

02.10.2024 - 14:40

Java Kulturore Gjermane nis sot në Tiranë me hapjen e ekspozitës “City X – Unë, Tiranë”, në Galerinë e Artit.

Kjo ekspozitë është një projekt artistik modern dhe inovativ.

Veprat artistike që do të ekspozohen janë realizuar në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm të Tiranës, të cilët kanë sjellë vizionin e tyre për zhvillimin e qytetit.

Po ditën e sotme do të shfaqet filmi “Jonja”, i cili flet për miqësinë, besimin dhe dashurinë e parë.

Me regji të Anika Mätzke, ky film prek tema të rëndësishme si prejardhjet e ndryshme familjare, ndërlikimet e marrëdhënieve njerëzore dhe kalimin delikat nga fëmijëria në moshën e adoleshencës

Java Kulturore Gjermane do të zhvillohet deri më më 8 tetor dhe do të sjellë muzikë klasike dhe street rave party, kinematografi dhe teknikat e hershme të fotografimit, praktikat e qëndrueshme dhe startup-et inovative, si dhe ekspozitat artistike.

Për të apasionuarit pas fotografisë, nga data 2 deri 6 tetor, në Qendrën Rinore Arka do të zhvillohen ditët e “Teknikave të Hershme të Fotografimit”. Pjesë e workshop-eve do të jenë Jonas Ruhs dhe Maximilian Zeitler, dy ekspertë të fotografisë analoge nga Berlini.

Ndërsa në Lezhë, në bibliotekën publike “Gjergj Fishta”, më 4 tetor, do të mbahet një forum që ofron një platformë për dialog të hapur, mendim kritik dhe zgjidhje të përbashkëta të problemeve midis të rinjve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të qeverisë lokale.

Gjatë Javës Gjermane nuk do të mungojnë as shfaqjet e filmave, si “Franky Five Star” apo “Elaha”, në datat 2, 5 dhe 7 tetor.

Më 6 tetor, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, për të gjithë të rinjtë dhe jo vetëm do të organizohet “Street Rave with Hannes Bieger”. DJ dhe producenti me famë botërore Hannes Bieger do të ngjitet në skenë për të performuar një përzierje unike të Deep House dhe Techno music, duke përcjellë për të apasionuarit e muzikës elektronike energji dhe kreativitet.

Për adhuruesit e muzikës klasike, më 7 tetor, në sallën e koncerteve UART në Tiranë, do të mbahet koncerti “Mothers, lovers, revolutionists”, nga pianistja Sina Kloke dhe mexosopranoja Marta Wryk. Dy artistet na ftojnë në një mbrëmje të veçantë, që vë në qendër krijimtarinë e grave në historinë e muzikës.

Ndërsa më 8 tetor, në Galerinë “Kalo” në Tiranë do të çelet ekspozita “Tipping Point”, ndërsa në sallën koncertale UART në Tiranë do të organizohet koncerti “Beethoven and Schubert in dialogue”./atsh