Që Serbia e ka të vështirë të bëjë një zgjedhje, midis Rusisë dhe Perëndimit, kjo është treguar përmes politikës më dy karrige, që Beogradi ka ndjekur prej vitesh tanimë. Megjithatë, herë pas here ka shenja se presidenti Aleksandër Vuçiç po e orienton vendin që drejton larg Lindjes. Së fundmi, ai ka refuzuar një ftesë të Vladimir Putin. Presidenti i Serbisë konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në samitin e BRICS në Kazan në tetor, pavarësisht se ftesën nga homologu rus e kishte marrë goxha më herët. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk do të jetë në Beograd më 23 dhe 24 tetor, mëson media serbe “Nova.rs”. Ajo është në fakt “vizitë shumë e rëndësishme”, për shkak të së cilës presidenti serb Aleksandër Vuçiq refuzoi ftesën e presidentit rus. Kjo patjetër, që nuk do t’i pëlqejë aspak Kremlinit, nga i cili në fakt kanë ardhur paralajmërime, që kur në media nisi të diskutohej refuzimi i ftesës. Në komentin e saj, gazeta pro regjimit Vzgljad i la të kuptohej Vuçiçit se dështimi i tij për të ardhur te Putini nuk do të ishte vetëm një skandal i madh që do të tronditte marrëdhëniet ruso-serbe, por edhe “një skandal brenda vetë Serbisë”.
Refuzimi i ftesës
Në fillim të muajit të kaluar, ai u takua me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, në Vladivostok, në margjinat e Forumit Lindor dhe me atë rast tha: “Përcillni përshëndetje Presidentit Vuçiç. Ne e presim atë në ngjarjet në kuadër të takimit të liderëve të BRICS në Kazan në formatin ‘outreach’ të BRICS. Ju kemi dërguar një ftesë, shpresoj që Presidenti ta pranojë”. Një ditë më vonë, Aleksandër Vuçiç e refuzoi ftesën kategorikisht . “Kemi shumë vizita të rëndësishme. Faleminderit njerëzve të BRICS për ftesën dhe Presidentit Putin. Ne gjithashtu kemi Nju Jorkun dhe tashmë e di se do të kem bisedime me të paktën gjashtë presidentë dhe të paktën shtatë apo tetë kryeministra në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, u tha Vuçiç gazetarëve, duke shtuar se në atë kohë Beogradi ishte duke festuar 80 vjetorin e çlirimit.
Zgjedhja e Serbisë
Ish-diplomati dhe ambasadori i Serbisë në Bjellorusi, Srecko Gjukiç thotë se është shumë interesante që mes Donald Tusk, Polonisë dhe Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Vladimir Putin, Rusisë dhe BRICS në anën tjetër, Aleksandar Vuçiç zgjodhi opsionin e parë. “Donald Tusk është një nga politikanët evropianë më me përvojë. Ai ka qenë në pozita të spikatura në politikë për një kohë shumë të gjatë, është i përkushtuar dhe besnik ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave evropiane. Ai është i moderuar dhe i matur, di shumë mirë të peshojë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Supozoj se kjo vizitë, për të cilën është folur prej kohësh, në fakt ka ardhur nga ndjenja e Donald Tusk se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje këtij rajoni dhe Serbisë”, thotë Gjukiç për “Nova.rs”. “Sidoqoftë, është vërtet problematike që në këtë moment Vuçiç i dha atij përparësi ndaj Putinit. Kjo mund të nënkuptojë se Serbia më në fund ka vendosur për Perëndimin, por mund të jetë edhe thjesht një përpjekje e Aleksandar Vuçiçit për t’i shpëtuar pyetjeve të pakëndshme të Vladimir Putinit. Ato që lidhen me marrëdhëniet me Ukrainën, shitjen e armëve serbe, por edhe blerjen e pushkëve franceze”.
Vulin si zëvendësues
Për Serbinë, çështja se çfarë do të ndodhë me gazin rus është edhe më e rëndësishme, dhe zgjidhjen e këtij problemi do ta trajtojë Aleksandër Vulin. Është ai, në vend të Vuçiçit, që do të udhëtojë në Kazan. Kohët e fundit ai tha se u kërkoi partnerëve rusë që të fillojnë menjëherë negociatat për një marrëveshje të re të gazit, të mos presin marsin e vitit 2025, kur skadon kontrata, por se beson se vendimi do të merret nga presidentët e Rusisë dhe Serbisë në fund, sepse nuk është vetëm vendim ekonomik, por edhe politik.